E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon ambasadorin e ri të Sllovenisë për Shqipërinë, zotin Alain Brian Bergant

ryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e ri të Sllovenisë për Shqipërinë,  zotin Alain Brian Bergant.

Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri u shpreh se për Shqipërinë dhe rajonin është një ngjarje e rëndësishme marrja e Presidencës së radhës së BE-së nga Sllovenia.

Duke theksuar se dy projektet madhore të shqiptarëve mbeten integrimi në NATO dhe BE, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për përkrahjen, mbështetjen dhe promovimin që presidenca sllovene po i bën agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha falënderoi ambasadorin Bergant për qëndrimin që Sllovenia po mban për çështjen e Kosovës, duke theksuar se pavarësia së Kosovës i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.

Më pas, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të ecurisë së reformave ekonomike dhe politike në vend, të cilat të ndërthurura me luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend tërheqës dhe të sigurt për  investimet e huaja. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha e njohu ambasadorin slloven me një sërë masash të ndërmarra nga qeveria shqiptare me qëllim përmirësimin e klimës për biznesin, si dhe inkurajoi investitorët sllovenë për të investuar në Shqipëri, kryesisht në fushën energjetike dhe atë të privatizimeve të mëdha.

Kryeministri u shpreh se tashmë në Shqipëri ekziston një  klimë pozitive bashkëpunimi, ndërmjet forcave politike, e cila po jep frytet e saj në zhvillimin me sukses të reformës në drejtësi. Gjithashtu, kryeministri e njohu ambasadorin slloven me masat që po ndërrmerren për realizimin e reformës zgjedhore.

Nga ana e tij, ambasadori slloven, zoti Bergant, duke falënderuar kryeministrin Berisha për pritjen shprehu mbështetjen e plotë të Sllovenisë për integrimin e Shqipërisë në NATO.

Duke theksuar se prioriteti kryesor në presidencën sllovene të BE-së mbetet agjenda evropiane e Ballkanit Perëndimor, ambasadori slloven e njohu kryeministrin Berisha me hapat që priten të ndërmerren në drejtim të liberalizimit të mëtejshëm të vizave.

Për sa i përket çështjes së Kosovës, Ambasadori slloven e siguroi kryeministrin Berisha se në ditët në vijim, Sllovenia do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe Kryeministri Berisha dhe ambasadori slloven ndanë të njëjtin mendim për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe u shprehën për forcimin e zgjerimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat.

Ndër të tjera, Ambasadori slloven e siguroi Kryeministrin Berisha se presidenca sllovene do të punojë që procesi i ratifikimit të MSA-së të përfundojë sa më shpejt nga të gjitha vendet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›