PROJEKTLIGJ PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7850, DATË 29.7.1994, “KODI CIVIL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRIS˔, TË NDRYSHUAR
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7850, DATË 29.7.1994, “KODI CIVIL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “d”, e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Pas kreut II, titulli IV, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, shtohet kreu II/1, me nenet përkatëse, me këtë përmbajtje:
“KREU II/1
Përgjegjësia nga veprimet korruptive
Neni 639/1
1. Personi, që nëpërmjet kërkimit, ofrimit, dhënies a pranimit, të drejtëpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, të një mitmarrjeje ose çdo lloji tjetër avantazhi a përfitimi, që deformon kryerjen e çdo detyre ose sjelljeje, të kërkuar nga pranuesi i mitmarrjes, për pasojë edhe avantazhin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar.
2. Kompensimi i dëmit mund të mbulojë dëmtimin material, humbjen e përfitimeve dhe humbjet jomonetare.
Neni 639/2
Dëmi i shkaktuar nga veprimet korruptive kompensohet kur:
a) i padituri ka kryer apo ka autorizuar aktin e korruptimit, ose ka dështuar në ndërmarrjen e hapave të duhur, për ta parandaluar aktin e korruptimit;
b) paditësi ka pësuar dëmtimin;
c) ka një lidhje shkakësore ndërmjet aktit të korruptimit dhe dëmit.
Neni 639/3
Kompensimi për shpërblimin e dëmit nga veprimet korruptive pakësohet ose hiqet në rrethanat, kur, personi i dëmtuar, me faj ka ndihmuar në shkaktimin e tij.
Neni 639/4
Për kërkimin e shpërblimit të dëmit, në zbatim të nenit 639/1, afati për parashkrimin e padisë është tre vjet, duke filluar nga data, që personi ka pësuar dëmtimin ose bëhet i ndërgjegjshëm për dëmin e pësuar dhe për personin, që e ka shkaktuar.
Personi i dëmtuar nuk mund të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit, në zbatim të nenit 639/1, pas kalimit 10 vjet nga data e kryerjes së veprimit korruptiv.
Neni 639/5
Çdo kontratë, që ka për objekt veprime korruptive, ose kontratat, që janë të lidhura me to, në çfarëdolloj titulli, janë të pavlefshme.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI