E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ambasadorin e ri të Holandës në Tiranë, zotin Henk G.C van den Dool

Kryeministri Berisha prit sot në një takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, zotin Henk G.C van den Dool.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi Ambasadorin për ndihmën dhe mbështetjen që Holanda i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë, zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë, si dhe në rrugën e saj për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Më tej, Kryeministri Berisha e njohu ambasadorin e Holandës me reformat e suksesshme dhe arritjet e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat.

Ambasadori Henk G.C van den Dool, pasi e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen vlerësoi transformimin rrënjësor që ka pësuar Shqipëria, zhvillimin e madh ekonomik në vend, si dhe klimën e optimizmit dhe entuziazmit që mbizotëron tek qytetarët shqiptarë. Ambasadori holandez i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona dhe u shprehën për intensifikimin e tyre të mëtejshëm në nivelet më të larta. Kryeministri Berisha dhe ambasadori holandez vlerësuan rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit shumë të mirë që ekziston ndërmjet dy vendeve tona në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën ekonomike e atë të shkëmbimeve tregtare, në nxitjen e investitorëve holandezë për të investuar në Shqipëri, në bashkëpunimin në kuadër të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE, si dhe përfundimin me sukses të një sërë projektesh të përbashkëta që tashmë janë në proces.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›