E vërejtët nga reagimet? Kot tentuat ta varrosni pavdekësinë!
Në qytetin e bekuar të Vlorës, një Senat i një shtëpie të lartë të dijes, të quajtur UNIVERSITET, i propozon vetes të sakatohet. Të cungohet, sepse nuk duron dot të quhet “Universiteti i Vlorës - Ismail Qemali”, por, vetëm, “Universiteti i Vlorës”.
Merreni me mend? “Më të mençurit” të kësaj skrofulle të dijes, turpërohen ta mbajnë emrin e babait tonë të kombit, Ismali Qemali?! Por, sa jehoi si marrëzi ky propozim, po aq duhet të merret si e qëlluar, në njëfarë mënyre. Deri sa në të` të ketë kësi soji pedagogësh dhe ligjëruesish, ndoshta ky Universitet edhe nuk meriton ta ketë atë emër madhor?!
Duket cinike pak sa ky konstatim, apo?! Ashtu edhe është. Përgjigje adekuate dedikuar cinizmit konkret.
Ha, ha, ha!... Unë vazhdoj më tej të qeshem. Me buzëqeshje përplot cinizëm, kuptohet... Sepse, nëse bëhem serioz, atëherë, këtyre bajlozëve më duhet t’ju porosis kështu:
Ooo... senator, parlamentar, pseudo dijetar dhe intelektual mediokër! Sa herë që doni mbytni dhe varrosni trupin, por nuk vdes dot shpirti... “E dimë edhe ne këtë!” - do më thoni. Por unë dyshoj se ju vërtet e dini këtë?! Ju kurrë nuk mund ta dini këtë, sepse ju nuk keni shpirt, por vetëm trup. Një trup me një mendje pa UNË, i cili përherë teledirigjohet nga të tjerët.
Aha! E vërejtët nga reagimet? Kot tentuat ta varrosni pavdekësinë dhe aty vdiqët vetë me këtë synim...