E Shtunë, 31 Tetor 2026

PËRSËRI MBI TË MAJTËN DHE TË DJATHTËN

Para gati një viti botova në gazetën “Standard” shkrimin “E majta dhe e djathta”. Në këtë shkrim bëja një analizë të së majtës dhe të së djathtës në Shqipëri. Mendoja se me këtë do të ndikoja sadopak në reflektimin që mund të bënin partitë politike në Shqipëri. Por duke parë se asnjë prej tyre nuk reflektoi, nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i bie daulles përsëri për të njëjtin problem, pavarësisht nëse kjo mund të bjerë në vesh të shurdhër.

Pyetja e parë që më bie ndër mend në këto çaste është: A ka të djathtë dhe të majtë në Shqipëri? Vështirë se mund t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje. Sot demagogjia e partive politike e ka mbërthyer aq fort jetën shoqërore të vendit, sa duket se zor mund të gjendet një zgjidhje optimale e këtij problemi. Sot dëgjon parti të majta që predikojnë opsione plotësisht të djathta dhe parti të djathta që dalin me teza të majta. Dhe një gjë e tillë ndodh se gjithçka shkon sipas oreksit të liderëve të tyre, që mbështeten nga një turmë servilësh pa princip dhe moral, që për interesa personale janë të gatshëm të pranojnë çdo lloj pazari.

Një gjë e tillë reflektohet në shumë fenomene të ndodhura në vendin tonë. Këtu, si në asnjë vend tjetër të botës së qytetëruar, dëgjon për anëtarë të një partie të ndërrojnë dy apo më shumë parti të tjera, për deputetë të një partie të rreshtohen në grupe parlamentare të partive kundërshtare të tyre apo të kalojnë në “të pavarur”, dhe plot raste të tjera. Natyrisht, çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij në jetë dhe për këtë mund edhe të eksperimentojë. Por, për mendimin tim, është e pamoralshme që pasi ke vendosur të pozicionohesh në një krah, papritur dhe pakujtuar të kthehesh në krahun tjetër. Kjo është një mungesë karakteri që tregon se shkaqet që të shtynë të pozicionohesh në një drejtim, kanë qenë të interesit të ngushtë personal dhe kur ky interes u prish, atëherë si pa të keq, hidhesh në krahun tjetër.

Në fillim të këtij shkrimi shtrova pyetjen nëse ka të majtë apo të djathtë në Shqipëri. Le t’i analizojmë këta dy krahë të politikës shqiptare.

Po e filloj me të majtën. Dihet se ajo e filloi jetën e saj politike si një fraksion i Partisë së Punës të Shqipërisë. Vetë përbërja e elementëve të saj e vërteton një gjë të tillë. Në gjirin e saj edhe sot e kësaj dite militojnë personalitete politike të regjimit të përmbysur. Në vitin 1991 u bë vetëm ndërrimi i emrit të saj, kurse programi politik mbeti ai që ishte. Me ndryshimin e lidershipit të saj u duk sikur diçka do të ndryshonte. U duk sikur Partia Socialiste po futej në rrugën e partive socialiste evropiane. Kjo për faktin se lideri i ri nuk i përkiste elitës së Partisë Komuniste. Në të vërtetë, ky ishte vetëm një iluzion. Lidershipi i saj, me anarkizmin e tij që e karakterizon, e ka futur këtë parti në një rrugë pa krye, prej së cilës zor se mund të dalë. Çudia më e madhe e kësaj partie është se si anëtarët e saj zgjodhën për lider të tyre një person që fillimet e jetës së tij politike i pati me Partinë Demokratike, për të mos zënë me gojë periudhën e diktaturës? Ky lidership nuk është as demokrat, as socialist dhe as i ndonjë partie tjetër. Ai është vetëm një karrierist që kërkon me çdo kusht të dalë në krye. Me veprimet e tij ngjason me Musolinin që fillimet e karrierës së tij i pati në Partinë Socialiste Italiane dhe në fund, si rezultat i kontradiktave me krerët e saj, përfundoi si lider i Partisë Fashiste.

Po fraksioni i kësaj partie, Lëvizja Socialiste për Integrim, si po vepron? Në këto çaste m’u kujtua një barcaletë. Dikush donte të blinte një shejtan. Pasi i pagoi paret, iu drejtua tregtarit të tyre:

- Ju lutem më zgjidhni një shejtan të mirë.

Tregtari iu përgjigj aty për aty:

- Fut dorën në thes dhe merr cilin të duash se të gjithë shejtanët njësoj janë.

Edhe këto dy forca të majta janë si figurat e letrave të bixhozit, një trup me dy koka dhe këto dy koka krekosen si gjelat me njëri-tjetrin. Lideri i socialistëve për integrim përdor kartën “Berisha” në propagandën e tij, me shpresë se me këtë mënyrë do të tërheqë rreth vetes pjesën më fanatike të socialistëve. Thirrjet histerike të tij për të ashtuquajturën “Marrëveshje Nano-Berisha”, apo tani së fundi “Rama-Berisha”, nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e këtij skenari.

Sa për partitë e tjera të majta ato janë inekzistente dhe liderët e tyre përdoren si papagaj për politikën e dy partive të mësipërme. Në këtë mënyrë, e majta e sotme ndodhet në një çast kritik. Një gjë të tillë e vërtetojnë edhe zgjedhjet e pjesshme për deputet dhe kryetar bashkie apo komune të zhvilluara gjatë këtyre viteve në pesë zona, ku ajo nuk mundi të fitonte asnjë.

Tani le të kthehemi nga e djathta. Personalisht, i përkas këtij krahu. Jam anëtar i Partisë Demokratike qysh nga janari i vitit 1991. U bashkova me këtë parti se i besova programit të saj. Kam mendimet dhe personalitetin tim dhe qenia në këtë parti nuk më ka penguar t’i shpreh ato hapur, qoftë edhe nëpërmjet shtypit.

Por në këtë shkrim unë dua të ndalem në defektet e qeverisë demokratike dhe këtë e bëj me qëllimin e mirë që ato të korrigjohen sa nuk është vonë. Ku qëndrojnë këto defekte?

Këmbëngulja për zbatimin e ligjit 7501 mendoj se është një nga gabimet e saj. Kjo ka ndeshur në rezistencën e ish-pronarëve, por edhe në veprimet spekulative të disa prej autoriteteve që ishin ngarkuar për ndarjen e saj apo të organeve të drejtësisë që kanë çuar në ngjalljen e pakënaqësisë në qytetarët. Kompensimi financiar është një barrë shumë e rëndë për buxhetin e vendit tonë, pothuajse i pamundur për t’u realizuar. Kështu që ky kompensim do të mund të përfundojë të paktën mbas pesëdhjetë vjetësh, në mos më shumë. Kthimi i pronave ish-pronarëve duhet të jetë A-ja për një parti të djathtë.

Përmbushja e detyrimit ligjor ndaj ish-të përndjekurve politikë është një pikë tjetër që ndan të majtën me të djathtën. Por çfarë është bërë gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të vendosjes së sistemit demokratik në këtë drejtim? Në të vërtetë, shumë pak. Përveç një sasie të vogël të hollash kesh dhe disa miliona lekë në letra me vlerë, që në të vërtetë mbetën pa vlerë, apo dhënia falas e disa banesave, që tani kërkohet t’u mbahet vlefta e tyre, nuk shohim ndonjë iniciativë tjetër në këtë drejtim. Më falni, dua të theksoj se e vetmja fushë, ku është kryer diçka serioze, është ajo e arsimimit të tyre. Kohët e fundit u bë i mundur miratimi i ligjit mbi dëmshpërblimin material të tyre. Me gjithë avantazhet që ka ky ligj, në krahasim me atë të miratuar në vitin 2004 nga Parlamenti me shumicë socialiste, përsëri mangësitë janë të shumta. Padrejtësisht janë përjashtuar nga e drejta e përfitimit të vrarët para nëntorit 1944, të vrarët pas nëntorit 1944 në përpjekje me organet e sigurimit komunist, apo nga masakrat e ushtruara nga regjimi mbi popullsinë civile, të internuarit që nuk mundin të sigurojnë një dokument të lëshuar para vitit 1991, gjë që është praktikisht e pamundur, vëllezërit dhe motrat e të ekzekutuarve apo të dënuarve klerikë apo beqarë që nuk kanë lënë fëmijë, moskalimi i trashëgimisë nga brezi i parë në të dytin, kur trashëgimtari i brezit të parë nuk jeton dhe plot e plot raste të tjera.

Në tetorin e vitit 2006 u miratua rezoluta mbi dënimin e krimeve të komunizmit. Po mbushen dy vjet dhe nga të gjitha pikat e kësaj rezolute është zbatuar vetëm një, caktimi i 21 majit si dita kombëtare e përndjekjes komuniste, bile edhe për kremtimin e saj nga autoritetet shtetërore nuk merret asnjë masë. Në këtë rezolutë hapja e dosjeve është njëra nga pikat kryesore të saj. Çfarë është bërë? Asgjë. Miratimi i projektligjit u shty për në shtator dhe nuk dihet se kur do të përfundojë dhe si do të përfundojë.

Mund të vazhdoja edhe më tej me argumente të tilla, por mendoj se për sot mjaftojnë. Janë këto shkaqet që më shtynë të bëj pyetjen nëse ka të majtë dhe të djathtë në Shqipëri, pasi unë nuk shoh një parti me të vërtetë të tillë, si ato që funksionojnë në botën demokratike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›