QEVERISJE APO MORATORIUM?
1-Duket se debati për ndryshimin ndoshta parcial te ligjit 7051 të pronësisë mbi tokën është rikthyer. Kryeministri gjatë një vizite në bregdet theksoi edhe një herë vendimin e kësaj mazhorance për mosndryshimin e tij. A mendoni se ky ligj ka nevojë për ndryshim? Cilat mund të jenë pasojat dhe përfitimet në një rast të tillë?
Duke mos pasur vetë dava të hapura apo të mbyllura pronash, në fakt nuk e ndjek në detaje këtë debat. Nga ana tjetër shoh që edhe ata që janë direkt të interesuar, ata që prej 17 vitesh vijnë në dorë me dosje në sqetull, madje edhe ata që janë zgjedhur, ngarkuar e ndoshta edhe paguar nga shoqatat e ndryshme për t’i ndjekur këto punë, nuk shoh të pozicionohen qartë. Edhe më paqartësisht të pozicionuara duken partitë e djathta e të majta, madje as ndonjë prej tyre e afishuar direkt si mbrojtëse numër një e interesave të pronës së vjetër. Duket se kompromisi për pushtetin është më i fortë për to sesa kompromisi për pronën. Duke qenë pra se të interesuarit direkt lëvizin e manovrojnë kështu krejt paqartësisht në platformën e tyre ndaj këtij ligji themelor të pronës së tokës, atëherë ne njerëzit e analizës e komentit i bie të jemi vetvetiu të çliruar nga kjo barrë.
Megjithatë, është fakt se ky ligj ka krijuar një ngërç real. Jo vetëm parimor (normat e sipërfaqeve për rikthim, tokat e fermave bujqësore), por edhe teknik (fragmentimi i tmerrshëm në 10-12 ngastra edhe i racionit të tokës që ka marrë çdo familje), i cili ka një efekt direkt ndaj zhvillimit të sotëm, sepse pengon tregun e tokës dhe investimet, sidomos ato të huaja. Parimisht jam për atë që ligje të tilla me peshë të madhe ekonomike e sociale nuk duhet e nuk mund të ndryshojnë shpesh. Ca më pak mund të ndryshojnë drejt anulimit e rikthimit. Të gjithë e kuptojmë se ç’do të thotë një rikthim i atij ligji. Nga ana tjetër, nuk ka ligje të paprekshme. Ne që ndryshuam aq lehtë Kushtetutën – thjesht për ca llogari të vogla – nuk ka pse të bëjmë si shenjtorë para ligjit të tokës aq më tepër kur prekja e tij diktohet nga interesa shumë më të gjera. Amendime pjesore mund të bëhen në çdo kohë. Natyrisht, jo në funksion të prapavijave politike apo frymëzimeve nacionaliste – siç shohim të ndodhë në ndonjë zonë jugore, gjithnjë në funksion të zhvillimit të tregut e investimeve.
2-Moratoriumi ose ligji për ndalimin e skafeve skadon pas tre vjetësh veprim në muajin tetor. Ministri i Brendshëm Nishani la të kuptohet para disa ditësh se ai mund të vazhdojë të veprojë edhe më tej. Cilat kanë qenë përfitimet dhe pasojat e veprimit trevjeçar të këtij ligji? Si e gjykoni mundësinë e kohëzgjatjes së veprimit të tij?
Sado që e di se “libertarianët” do të më shohin shtrembër, unë e kam parë si krejt të dobishëm dobinë e atij moratoriumi. E kuptoj sigurisht që parimisht ajo përbën një dhunim të lirisë së biznesit e nismës së lirë. Përbën edhe një dhunim të pronës, po të kemi parasysh shkatërrimin nga shteti të mjeteve të kapura. Por nga ana tjetër, këtu jemi në një segment me infeksion të gjerë kriminaliteti. E di gjithashtu se është e gabuar të kriminalizosh një sektor të tërë dhe se sjellja normale e një shteti nuk duhet të ishte “moratoriumi” ndaj një sektori, por kapja e ndëshkimi i ashpër i kujtdo që ushtronte veprimtari antiligjore, duke mos prekur përdorimin e skafeve të çdo lloji për peshkim e për udhëtime ose për qëllime turistike, zhytje në ujë, studime gjeografike, nënujore, arkeologjike etj. Natyrisht, një shtet ideal ka zotësinë t’i administrojë këto situata e të ndajë skafistin kriminal, trafikantin e njerëzve e të drogës nga skafisti turistik e biznesor. Por shteti ynë nuk e pati atë mundësi.
Kështu dilte nga analizat. Mbetej atëherë zgjedhja: të ruajmë parimin e lirisë me koston e vazhdimit të trafikut me kosto jetësh njerëzore e lulëzim të krimit apo të eliminojmë trafikun duke pranuar një ngushtim të përkohshëm të lirisë? Shtetet prandaj janë atje, që të bëjnë edhe kufizime. Sidoqoftë të gjithë e dimë se kjo nuk erdhi dhe aq nga vendosmëria e qeverive tona për të dërmuar trafikun. Rol vendimtar këtu luajti presioni ndërkombëtar, i cili sigurisht nuk kërkoi direkt moratoriumin, por “sugjeroi” që edhe kjo mund të bëhej nëse shteti shqiptar s’kishte takat për zgjidhje normale. Gjithçka për eliminimin e trafiqeve të paligjshme. Nga ana tjetër, koha tregoi se ekonomikisht nuk është se u bë ndonjë dhunim i madh. Me sa duket skafet e bllokuara nuk ishin ato që sjellin peshkun e midhjen në restorantet e bregut. Nuk kishin ndonjë peshë as në transportin turistik. Ja, sot skafet të bllokuara janë. Keni parë të mungojë gjë në tavolinat e restoranteve?
Unë madje kam një shqetësim tjetër. Skafet e mëdhenj vërtet që janë kyçur, por nëpër kokat e notarëve pushues vërtitet një mizëri e re skafesh të vegjël: motorët e ujit, të cilët jo cilësi turizmi që nuk sjellin, por me benzinën që qelbin, me dallgët e shkumën që krijojnë e sidomos me rrezikun e përhershëm për jetët e pushuesve, janë kthyer në një bezdi të madhe dhe në një makth për këta të fundit. Nuk e di se kush i quan këto “kënaqësi turistike”. Por mbi të gjitha kjo është totalisht një antisiguri turistike”. Sivjet në bregdet kam provuar një zhvillim skandaloz të këtij “sektori”. Pa asnjë rregull. Pa asnjë veçim të zonës motorike nga zona e fëmijëve që notojnë. Mos është koha të rishikohet pak ashpër edhe kjo?
Me logjikën e mësipërme moratoriumi sigurisht që mund edhe të shtyhet. Por në këtë rast qeveria mendoj unë, merr një minus të madh. O qeverisje, o moratorium! Moratoriume të tilla nuk janë për të mbuluar pazotësitë qeverisëse. Ato përdoren përkohësisht, si zgjidhje kalimtare, për t’i dhënë kohë administratës të forcohet, të instalojë mjetet e inspektimit, kontrollit, parandalimit e ndëshkimit etj. Përse këto masa nuk janë marrë ende?
3- Riformatimi i të djathtës duket se është debati më pikant politik i momentit. Sa e shikoni të mundur një bashkim të së djathtës? Cilat mund të jenë format e mundshme të këtij bashkimi të pretenduar?
Kjo pyetje kalon detyrimisht përmes portës së një kundërpyetjeje. Përse ky shqetësim për zhvillime të tilla? Është ky vërtet ndonjë hall i njerëzve? ǒpunë kam unë apo qytetari normal e neutral i këtij vendi me procesin në fjalë: riformatimin e të djathtës?
Le të përpiqemi pra t’i përgjigjemi si të mundim kësaj pyetjeje. Sigurisht që cilësia dhe zotësia e politikës (në tërësi) na hyn në punë gjithsecilit. Prej saj varet në fund të fundit konkurrenca demokratike dhe prej kësaj të fundit vetë cilësia e qeverisjes. Në masën që cilësia e politikës (në tërësi) na hyn në punë, sigurisht që na hyn në punë edhe cilësia e çdo përbërësi kryesor të saj. Në këtë kuptim edhe cilësia e së djathtës në vetvete. Cilësia e politikëbërjes pra është e vetmja rrjedhojë që na intereson ne qytetarëve në këto zhvillime. Dhe cilësia e së djathtës sigurisht që mund të rritet edhe përmes riformatimeve, koalicioneve e kombinimeve. Nga ana tjetër, këto të fundit nuk nënkuptojnë medoemos cilësi më të lartë të veprimit të djathtë. Rritja cilësore e tij do të thotë aftësim i mëtejshëm për të prodhuar zgjidhje më të mira qeverisëse, alternativa të reja, që krahu tjetër (i majtë), për arsye të ndryshme, nuk mund apo nuk është i motivuar t’i prodhojë. Nëse këto procese e rrisin aftësinë e së djathtës për të prodhuar politika të djathta apo alternativa të djathta qeverisëse, më eficiente sesa ato të opozitës, madje edhe më eficiente sesa ato që vetë ajo ka ofruar deri më sot, atëherë kemi plot arsye që procesin ta ndjekim me interes. Mirëpo tek ne, kombinime e riformatimet nuk janë bërë asnjëherë në funksion të cilësisë, por vetëm të sasisë, pra të krijimit të masës sasiore, numrave, për të krijuar e mbajtur pushtetin. Dhe ky natyrisht nuk është një motivim të cilit vlen t’i bashkohemi, as edhe me anë komentesh si ky. Përgjigja jonë pra, që vjen natyrshëm është: Duhet pritur dhe parë se çfarë synojnë e “ç’mall” do të prodhojnë këto përpjekje riformatuese.
Një dimension i dytë i kësaj analize ka të bëjë me përkatësinë, identitetin dhe autenticitetin e organizimit të djathtë politik. Këtu mund të hapet një spirale shumë e gjatë komenti me rrënjë edhe ideologjike, të cilën as që duhet ta marrim përsipër ta tjerrim në kaq pak vend. Ajo që dua të nënvizoj unë është teza që politika e djathtë mund t’i qëndrojë profilit e “flamurit” të saj vetëm duke prodhuar politika të djathta. Të paktën në drejtimet më tipike të saj siç janë njohja, mbrojtja dhe zhvillimi i pronës private, ruajtja e konkurrencës së lirë (jo vetëm nga shteti por edhe nga bllokimet monopolistike), nxitja e mbrojtja e nismës private, tërheqja e shtetit nga pronësia dhe administrimi direkt i sektorëve e ndërmarrjeve, zvogëlimi i peshës e rolit të tij në ekonomi (duke u marrë më pak para bizneseve) etj. Ndryshe, nëse programi i së djathtës humbet “djathtizmin” e vet, nëse edhe majtas edhe djathtas gatuhet e njëjta çorbë, nuk do të kishte kuptim as pluralizmi, as konkurrenca mes programesh. Do të ishte thjesht një garë mes grupesh e klanesh, kurorëzuar me zëvendësimin reciprok të tyre në rubinetat e shtetit pa asnjë efekt politik dhe sidomos pa asnjë ndikim zhvillimor për qytetarët.
Politikat e djathta pra, janë të nevojshme jo vetëm për të mbrojtur interesat e grupeve shoqërore të lidhura direkt me to (bizneseve p.sh.), por edhe për të krijuar një terren gare, kundrejt grupit tjetër të politikave të majta, si dhe një mundësi zgjedhje përpara qytetarit zgjedhës. Por e djathta dhe politikat e saj kanë edhe një funksion tjetër: parandalimin e moslejimin e kthimit në politikë të ekstremit agresiv të së majtës: komunizmit. Në masën që ky rikthim i komunizmit përbën rrezik real për një vend (a përbën për Shqipërinë?) në atë masë roli parandalues i së djathtës rritet shumë.
***
Po a mund të kemi politika të djathta pa formacione të djathta, pa “material” njerëzor të djathtë? Dhe këtu vijmë tek një çështje tjetër: ajo e identitetit të së djathtës shqiptare. Ia vlen pra të merremi një çast me natyrën e këtij kampi në politikën tonë, përkatësinë dhe autenticitetin e tij, si dhe rolin që luan apo duhet të luante në një situatë normale. Sepse, le ta themi troç qysh në fillim, unë e kam zor që t’i hyjmë një bisede për të djathtën duke pasur në mendje Pollon, Xhuvelin, Berishën e krerët e tjerë së bashku me kryesitë dhe ministrat konkretë që kanë zënë të gjithë stolat e “zhirondinëve”. Natyrisht, në debatin mbi identitetin e djathtë ka një konfuzion të madh në Shqipëri. Plot keqkuptime që s’është aspak e lehtë të sqarohen. Vetë koncepti i “përkatësisë së djathtë” (“bindjes së djathtë”, “politikës së djathtë” e “njeriut të djathtë”) lëviz në të paktën 3-4 kuptime të ndryshme në debatin e sotëm politik e mediatik si dhe në opinionin e gjerë publik. I pari koncept ka të bëjë me të djathtën tradicionale shqiptare. Dhe sa herë që përmendet ai, ka parasysh dy kategori: ose ish-pronarët, ish-latifondistët, ish-biznesmentët e ish-pasanikët e paraluftës; ose eksponentët dhe anëtarët e lëvizjeve politike e partive të krijuara e të drejtuara kryesisht prej tyre në atë kohë. Unë jam i djathtë, – thotë tjetri, – sepse baba im ka qenë ballist. Edhe unë, – thotë tjetri, – sepse baba im ka qenë zogist. Këtu kemi një pasaktësi identiteti. Pavarësisht se baba në fjalë mund të kish qenë një roje nate ose portier i thjeshtë tek porta e sarajit të beut a bajraktarit, dhe që për këtë arsye s’mund të ishte veçse mbështetës e përkrahës i partisë së të zotit. A është e drejtë kjo? Ose të paktën a është e saktë? Më duket se jo tamam. Por pasaktësia e “rreshtimit” rritet edhe për një arsye tjetër: Mirë baba paska pasë ndarë mendjen dhe është rreshtuar në partitë e djathta të zotërisë së vet asokohe, po i nipi që sot pi kafe tek blloku, përse duhet ta marrë këtë automatikisht si një atribut të trashëguar? Nga ç’analizë adn-je e nga ç’kod na del që çdo bir a nip ndan medoemos pikëpamjet politike të babait? Ai mund të ndajë e trashëgojë sigurisht mbiemrin, pasurinë, miqësitë, zanatin e ku di unë. Po pikëpamjet mund t’i ketë edhe krejt të ndryshme. A nuk patëm ne qysh në ato kohë, jo pak raste kur djem nga familje tradicionaliste e pasanike u “dolën nga dora” baballarëve dhe jo vetëm që u hodhën me luftën, po më vonë u ngjitën edhe në shkallët e hierarkisë komuniste.
I dyti koncept mbi “njeriun e djathtë” lidhet me të dënuarit e të ndëshkuarit nga diktatura. Çdokush pra që ka pësuar disa vjet dënim apo internim nga ajo kohë është krejt i legjitimuar që të prezantohet si i djathtë. Erdha unë, – thotë ai, – më regjistroni djathtas, kam qenë në burg. As kjo nuk na duket e saktë. Argument këtu kemi faktin që diktatura ndëshkoi plot familje e fise tipike komuniste, disa madje komunistë shumë ekstremë – kur ishin në kulmin e karrierave të tyre. Pati mes tyre edhe ministra të ashpër të policisë sekrete, prokurorë të pamëshirshëm, ushtarakë të bindur antiperëndimorë, etj. Nuk është aspak e vërtetë që të gjitha ato u dënuan e u internuan për “prirje të djathta”. Fakti që bollëku material i familjeve të tyre – pjesë e nomenklaturës – u dha atyre asokohe nga një magnetofon ku dëgjohej rrok’n rolli, nga një parë xhinse dhe atlete “Adidas”, katalogë mode e ndonjë rrugë jashtë shtetit (gjëra që as i ëndërronim ne të tjerët) nuk i bën aspak të djathtë djemtë e gocat e tyre, që sot na shurdhojnë veshët me djathtizmin e tyre gati “natyral”.
***
Po kush është atëherë “lënda e djathtë në Shqipëri” prej të cilës vërtet mund të pritet material i djathtë? Më lart u munduam të shpjegojmë se sa i vështirë është vlerësimi. Sipas meje kriteri i vetëm që do të shërbente për orientimin e përpjekjeve drejt një forcimi të së djathtës, është vetëm një: sjellja dhe vepra konkrete e njerëzve konkretë. Në 18 vjet pluralizëm politik e liri mendimi, të gjithë kemi pasur kohë të mjaftueshme ta pozicionojmë e formulojmë veten. Tashmë njihet e “lexohet” vepra e çdo personazhi në mbrojtje të pronës, nismës private, të drejtave të njeriut etj. Ashtu siç dihen edhe qëndrimet e kundërta. Nëse e djathta dëshiron vërtet të formatohet e riformatohet, duhet të bëjë kujdes që të mos anashkalojë këtë kriter, të vetmin që ka një efekt praktik në përzgjedhje: veprën e qëndrimin e njeriut ndaj aspiratës së djathtë.
Fatkeqësisht, tek ne nuk është shtruar ndonjëherë realisht kjo çështje. Pse? Sepse para se të jetë e bashkuar apo e ndarë, e djathta duhet të jetë e përfaqësuar. Mendoj se e djathta shqiptare nuk është as e ndarë as e bashkuar. Ajo sot për sot është e uzurpuar. Terreni i saj natyral është i okupuar nga persona e grupe që nuk ngrihen dot në nivelin e aspiratës së saj.