E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anna Oxa, Berishës: Ju e ndryshuat Shqipërinë time

Artistja e madhe me origjinë shqiptare, Anna Oxa, sheh nga afër ndryshimin e madh në vendlindjen e të atit, dhe këtë ia dedikon Kryeministrit të Shqipërisë. Çifti kryeministror Sali dhe Liri Berisha shtruan një darkë miqësore për artisten dhe këngëtaren e mirënjohur italiane Anna Oxa. Këngëtarja, moderatorja, prezantuesja e njohur në shtetin fqinj konsiderohet si një avokate e shkëlqyer e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve kudo në Evropë. Në darkën me çiftin kryeministror, Anna Oxa shoqërohej nga dy fëmijët e saj, vajza Francesca dhe djali Qazim. Anna Oxa dhe fëmijët e saj ndodhen në Shqipëri për të kaluar pushimet e shkurtra disaditore në bregdetin tonë, por gjithashtu edhe në qytetin e Krujës, qytet ku ka lindur babai i saj dhe me të cilin ajo ka një lidhje shumë të fortë shpirtërore. Gjatë kësaj darke që u zhvillua në një atmosferë mjaft të përzemërt dhe familjare, Anna Oxa shprehu kënaqësinë e madhe të saj dhe të fëmijëve të saj për ditët e mrekullueshme që ata kaluan në Shqipëri. Ajo falënderoi Kryeministrin Berisha dhe shprehu vlerësimet maksimale për punën e tij për të ndryshuar kaq shumë vendin e saj të origjinës, ndryshim rrënjësor për të cilin ajo u shpreh se e konstatoi gjatë kësaj vizite, krahasuar me vizitën e saj të fundit në vendin tonë. Sipas saj, këto ndryshime e gëzonin pa masë duke qenë se e konsideronte dhe donte Shqipërinë si vendin e saj. Në këtë darkë Anna Oxa dhe fëmijët e saj shoqëroheshin nga këngëtari i njohur i muzikës shqiptare, Ardit Gjebrea, bashkëshortja e tij Anila, të cilët ishin dhe mikpritësit e këngëtares së shquar italiane në pushimet e saj në vendin tonë. Znj.Oxa pohoi se ndryshimin dhe zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit e gjente të pasqyruar edhe në zhvillimin e kulturës, spektaklit, botës muzikore në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku shqiptarët jetojnë. Anna Oxa u shpreh gjatë darkës se ndihej shumë mirë dhe shumë e mirëpritur në Shqipëri dhe se do të vinte përsëri këtu, këtë radhë për të qëndruar më gjatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›