E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrirja e “rezervistëve” në politikë



Gatishmëria e disa partive të vogla për t’iu bashkuar partive të mëdha me lëvizje maksimaliste deri në shkrirje me to apo në lëvizje më të avashta deri në federata, nxori në pah një prej të metave të sistemit proporcional në zgjedhje: partitë e vogla po shkojnë drejt shuarjes.

Në përgjithësi në shumë vende me demokraci të zhvilluar numri i partive është i vogël, shumë më i vogël se në Shqipëri, megjithatë kjo nuk ka cenuar pluralitetin e qeverisjeve, pluralizmin politik dhe po ashtu, zhvillimin e ideve dhe debatit politik në këto vende.

Duket se shuarja apo ngushtimi i partive të vogla në Shqipëri nuk përbën ndonjëfarë problemi në raport me zhvillimin e demokracisë, referuar realitetit në vendet e mësipërme.

Megjithatë, nuk është kështu. Shqipëria është një vend me demokraci të re dhe pa përvojë të mëhershme demokratike, përjashto fare pak vite nën qeverisjen e Zogut, ndryshe nga sa kanë vendet perëndimore, por edhe vendet e tjera lindore që kanë histori të demokracisë edhe para periudhës komuniste. Duke qenë demokraci e re, është edhe demokraci e pastabilizuar me nevojën e përditshme të kualifikimit të saj, prurjeve të reja e ndërkohë daljeve të shpeshta sipas një mekanizmi që për një periudhë kohe rregullon apo stabilizon qoftë rrugët e hyrjes dhe daljes e qoftë aktivitetin e partive. Shqipëria ende nuk ka hyrë në fazën përfundimtare ku kemi një treg politik të rregulluar, të balancuar dhe përfaqësues përballë kërkesës së vendit për ide apo menaxhim. Në afro 20 vjet pluralizëm kemi pasur figura politike që kanë hyrë dhe dalë pa lënë gjurmë, po ashtu kemi të tjera që kanë hyrë dhe demonstrojnë një qëndrueshmëri të dallueshme. Por veçanti e dy llojeve të politikanëve është se rruga e ndjekur për të hyrë në politikë ashtu edhe për të dalë prej saj kanë qenë deri diku fryt i rastësive sesa rrjedhim i kualitetit politik, me përjashtim të ndonjë rasti ku është demonstruar cilësi dhe këmbëngulje.

Ndërkaq, partitë politike në Shqipëri nuk janë ndërtuar mbi atë lloj zhvillimi karriere që i jep më të zotit vendin më të mirë. Ky parim gjen vend në raste të rralla dhe pozitat në parti kushtëzohen apo dominohen nga arsye shpesh jopolitike. Në raste të tilla partitë e vogla janë një presion i vazhdueshëm për partitë e mëdha, pasi me politika hapjeje dhe karriere të drejtë mund të përbëjnë rrezik për partitë kryesore. Tipike janë strategjitë që po përdor LSI-ja, sidomos kohët e fundit, për të ngushtuar sa më shumë terren për Partinë Socialiste.

Shqipëria ka ecje të ngadaltë në politikë, çfarë ka sjellë edhe ecje të ngadaltë në performimin e menaxhimit të vendit.

Fakti se për gjithë këto vite të pluralizmit kanë dominuar jetën politike shqiptare vetëm dy parti, nuk është ndonjë meritë e madhe e secilës prej tyre. Vendi do të kishte ecur më shpejt, nëse do të kishim transformime më të shpejta të politikës, të formulave politike edhe nëse protagonizmi politik do të mbetej i pandryshueshëm. Por kjo nuk do të thotë se nuk kemi pasur dështim të plotë të iniciativës politike jashtë këtyre partive apo në periferi të tyre. Sjellja e tyre pas futjes së proporcionalit, gatishmëria e partive të vogla për t’iu ngjitur partive të mëdha e tregon qartë këtë dështim, çfarë mund të thuhet se ndër këto parti nuk ka qenë pasion politika, por interesat shpesh jopolitike.

Megjithatë, edhe duke qenë të këqija, ato ishin një mundësi nëse do të ishte nevoja. Do të duhet sërish një kohë tjetër në dispozicion për të ndërtuar struktura politike sadopak të besueshme të cilat mund të shërbejnë si strehë për idetë e përjashtuara nga partitë e mëdha apo si furnitorë të cilësisë për dy partitë kryesore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›