E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e fortë fiskale

Qeveria këto ditë uli në 15 për qind taksën mbi sigurimet shoqërore të kompanive të ndryshme të biznesit që punësojnë njerëz. Është pa dyshim një veprim për t’u përshëndetur. Duke paguar më pak sigurime shoqërore për të punësuarit, biznesit serioz dhe të madh i krijohen kapitale të lira për të rritur prodhimin dhe për të shtuar në këtë mënyrë mundësitë për të hapur vende të reja pune. Zhurma e ngritur nga opozita për gjoja minimin e fondit të pensioneve nga rënia e të ardhurave prej kësaj takse nuk qëndron. Kjo masë (pra ulja e taksës) është marrë në pëlqim të plotë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Sikur të kishte rrezik për fondin e pensioneve, e para që do të dilte kundër dhe të bënte namin për një veprim të tillë fiskal të qeverisë do të ishte pikërisht FMN-ja. Mirëpo, nga ana tjetër, qeveria shpreson se duke ulur taksën, bizneset që deklarojnë më pak punonjës ose një rrogë më të ulët pikërisht për të paguar më pak taksën e sigurimeve, këtej e tutje do të jenë në rregull me shtetin. Por a është kjo shpresë reale? Gjithçka lidhet me strukturën që kontrollon bizneset dhe raportimet e tyre mbi borderotë e pagave që kanë apo mbi kontratat që lidhin me punonjësit që marrin në punë. Në shumicën e rasteve këto kontrata janë fiktive dhe këtu është detyra dhe puna e inspektorit të Ministrisë së Punës që të arrijë të kthejë bizneset që punojnë kështu në të zezë, në biznese formale dhe që nuk ia dredhin shtetit. A do t’i kthejë ky inspektor, që merr 500-600 mijë lekë të vjetra në muaj, sipërmarrje të fuqishme që punësojnë me dhjetëra dhe qindra punonjës në rrugë të drejtë? Për këto sipërmarrje është shumë më e thjeshtë “të blejnë” inspektorin, duke i dhënë edhe një milion lekë në muaj për heshtjen e tij. Kështu shmangin një detyrim fiskal prej afro ndoshta 10-15 mijë eurosh në muaj. E kush është ai “budalla” që nuk i merr këto para abuzive sot?! Disa studiues ekonomie flasin për afro 14 milionë euro që çdo vit i largohen arkës së shtetit nga mosdeklarimi i të punësuarve apo nga deklarimet false (shumë më të ulëta) të rrogave të tyre. Këto para nuk mund t’i kthehen atij që i takon (shtetit shqiptar) thjesht duke ulur taksën e sigurimeve shoqërore. Edhe sikur kjo taksë të bëhet pesë për qind, bizneset sërish do të abuzojnë, për sa kohë atyre u krijohet shesh i lirë për këtë abuzim nga vetë strukturat tona kontrolluese. I vetmi mjet për të dalë nga qerthulli, rrethi vicioz, është forcimi i kontrollit. Inspektorët e Ministrisë së Financave duhet normalisht t’ua bëjnë jetën ferr këtyre “inspektorushëve” të Ministrisë së Punës që gatuajnë këtë përshesh. Po si t’u kërkojnë llogari këta të financës, kur vetë ku nuk shohin për të marrë ndonjë zarf biznesi për vete?! Kjo është një pyetje që sigurisht bren mendjen e shumë drejtuesve të ndershëm të sistemit fiskal sot tek ne. Ata janë përpjekur në shumë mënyra të forcojnë kontrollin ndaj bizneseve, por në praktikë këto mënyra deri tani kanë rezultuar jo shumë efikase. Vetë ndihen në pozicionin e kalorësit që pak (ose aspak) i bindet kali. Ulja e taksës mbi sigurimet shoqërore është ana tjetër e medaljes. Është piskama, thirrja e fortë fiskale për të kthyer bizneset në udhën e duhur të pagimit të rregullt të detyrimeve fiskale, përderisa “tetarët” e shtetit, inspektorët e tatimeve apo të Ministrisë së Punës janë të kapur me mijëra fije me bizneset që duhet t’i kontrollojnë. Megjithatë, e marrë nga të gjitha anët, ulja është dobiprurëse, sepse u referohet atyre bizneseve serioze që shohin për nga e ardhmja dhe nuk u intereson aspak ajo “lugë çorbë e prishur” që mund të gëlltisin sot duke kryer evazion fiskal me ndihmën e “tetarëve”. Kjo është shumë e thjeshtë për ta, por ata kërkojnë të vështirën, kërkojnë raporte korrekte me shtetin, pa duan edhe ulje të taksës që realisht ishte mjaft e lartë deri tani. Paradoksalisht, taksa ishte mjaft e lartë për bizneset që janë me letra në rregull me shtetin. Tani qeveria dialogon me këtë masë me këto biznese dhe u jep një dorë jo të vogël.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›