E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: 22 vjet në politikë, Saliu vetëm gënjen. Por ky pushtet i ka ditët e numëruara

Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Sekretari Organizativ, Blendi Klosi tha sot se Sali Berisha ka 22 vjet në politikë duke gënjyer e shpifur.

22 vjet në politikë dhe Saliu vetëm gënjen dhe shpif për të mbuluar zullumet e tij.

Gënjen e shpif për të mbuluar paaftësinë e tij.

Gënjen e shpif mbi çdo qytetar të këtij vendi që tregon me gisht korrupsionin e tij dhe të familjes së tij.

Edhe pse për të tretën herë Shqipëria rrezikohet në procesin e integrimit Saliu shpif e gënjen se fajin e ka opozita.

Por e vërteta është fare e qartë; Saliu ka dështuar me qeverisjen e tij, ashtu siç dështoi me përmbushjen e kërkesave të partnerëve europian, ashtu  siç dështoi me bindje të plotë në zgjedhjen e një presidenti konsensual kërkesë kjo shumë e rëndësishme e Brukselit, tha Klosi.

Saliu shpif për kufizimin e imunitetit teksa refuzoi në mënyrë të hapur të votonte projektligjin e dakordësuar nga njëra anë, dhe paketën e garancive për pavarësinë e drejtësisë nga ana tjetër. Dështoi sepse qëllimi i tij është i qartë: Sali Berisha nuk do një drejtësi të pavarur në shërbim të shqiptarëve, por një sistem drejtësie të gjunjëzuar përpara pushtetit të tij dhe në shërbim të familjes së tij.

Deputeti socialist tha se kryeministri Sali Berisha nuk e njeh konceptin e pavarësisë së institucioneve.

Njësoj siç vendosi një ushtar e shërbëtor në karrigen e Presidentit të Republikës, njësoj po vepron edhe me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, e njësoj së fundmi veproi edhe me Shërbimin Informativ kur pa u konsultuar me aleatët tanë strategjikë. Bëri zgjedhjen e gabuar për të vendosur nën kontroll edhe shërbimet sekrete, njësoj si në vitin 97.

Sot, një tjetër krim ka ndodhur, në vazhdën e vrasjeve, aksidenteve, grabitjeve, që po ndodhin çdo ditë. Sa vlerë ka jeta e shqiptarit? Çfarë bën policia e shtetit? Edhe sa të tjerë duhet të vriten përpara se dikush të veprojë?

Sali Berisha flet për turizmin, por faktet tregojnë se i vetmi investim që ai ka bërë për turizmin është shuma marramendëse prej gjysmë miliardi për të kthyer në luks vilën ku dëshiron të pushojë kryeministri. Përse aq shumë para të hedhura dëm, për luks, teksa shqiptarët janë të papunë dhe varfërohen dita ditës.

Blendi Klosi deklaroi se ky pushtet i ka ditët e numëruara.

Sali Berisha akuzon deputetët e opozitës, ndërkohë nuk flet për këshillin e tij të miliarderëve, deputetë, ministra dhe familjarë, që duke shfrytëzuar postet e tyre publike kanë vjedhur paratë e shqiptarëve të ndershëm, kanë marrë në mënyrë të padrejtë koncensione, kanë përfituar tendera dhe përmes parave të korrupsionit janë kthyer në pasanikët e këtij vendi.

Sali Berisha dhe tijtë të jenë të sigurt, se asgjë e paligjshme nuk do të mbetet në xhepat e tyre, pronat e tyre apo pasuritë e tyre. Të gjithë do të japin llogari, një më një, për çdo vjedhje që i është bërë këtij vendi.

Fatmirësisht, ky pushtet i ka ditët e numëruara. Për të ndryshuar situatën me të cilën përballet sot çdo shqiptar, në çdo cep të vendit, nevojitet Rilindja Shqiptare. Për të sjellë më shumë punë, më shumë mirëqenie, më shumë drejtësi. Më shumë shpresë për brezat e rinj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›