E Diel, 1 Nëntor 2026

Harmonia fetare, fakt që i mban të bashkuar shqiptarët

TIRANË- Konferenca Shkencore "Harmonia Ndërfetare: Vlerë e Trashëgimisë Kombëtare Shqiptare" e organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, mblodhi të premten personalitete të larta zyrtare, të komuniteteve fetare në vend, studiues, etj.

Në hapje të saj, drejtori i Institutit të Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, tha se harmonia është një imazh që e mban të bashkuar popullin shqiptar dhe që gjen shprehje të qartë në shoqërinë tonë. "Ky imazh është një shembull i vlerave që ka ndërtuar dhe mbrojtur populli ynë gjatë historisë së tij mijravjeçare", theksoi ai.

Sipas studiuesit Marashi, çështja e bashkëjetesës fetare sot është një nga sfidat me të cilat përballet shoqëria moderne. "Por, sa i takon shqiptarëve toleranca ndërfetare nuk na mjafton, pasi jemi mësuar me harmoni ndërfetare, që e duam dhe e mbrojmë, ashtu si mbrojmë familjet tona", tha Marashi.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça, në fjalën e tij tha se mirëkuptimi ndërfetar është i trashëguar nga të parët tanë. "Bashkëjetesa ndërfetare është në dobi të zhvillimit dhe vlerave morale të popullit tonë", theksoi ai.

“Bashkëjetesa në shekuj e kristinavëe dhe myslimanëve ka bërë që të jetë një domosdoshmëri në shekuj që të shërbejë si faktor për komunitetin kombëtar dhe ekzistencën tonë si popull.

Edhe kreu i Bektashinjve ndau të njëjtin mendim.
“Shembuj më i vyer që ne i kemi dhënë dhe vijomë t’ja japim botës fetare është se kjo nuk zgjidhet as me kuvende burrash as me fushata shpatash, por ne u bashkuam me thirrjen e zotit. Ne mbetemi të prirur në këtë vizion se cdo ditë jetojmë me shpresën më të mirë, që jetojmë e besojmë”.

Presidenti Nishani

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ishte sot i pranishëm në Konferencën Shkencore “Harmonia Ndërfetare: Vlerë e Trashëgimisë Kombëtare Shqiptare”, e cila u organizua nga Qendra e Studimeve Albanologjike nën kujdesin e Kreut të Shtetit.

Presidenti Nishani, në fjalën e mbajtur me temë “Harmonia fetare dhe shembulli botëror i Shqipërisë”, nënvizoi se Shqipëria edhe pse një vend i vogël është afirmuar si një shembull i bashkëjetesës paqësore ndërmjet religjioneve pasi toleranca fetare e popullit shqiptar mbështetet në vetëdijen kombëtare dhe në faktin se shqiptarët e të gjitha besimeve janë të një gjaku, të një gjuhe, kanë origjinën, truallin dhe traditën e përbashkët.

Në fund të mesazhit të tij, Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë drejtuesve të klerit në Shqipëri për rolin e tyre të veçantë jo vetëm në udhëheqjen shpirtërore të besimtarëve të tyre, por mbi të gjitha për krijimin e një klime bashkëjetese, harmonie dhe mirëkuptimi si një vlerë e çmuar e Shqipërisë dhe e shqiptarit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›