E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Bare: Reklamat mbi turizmin, të pajustifikuara

Partia Socialiste akuzoi qeverinë se ka dështuar në politikat e saj për turizmin. “Reklama më e mirë për Shqipërinë do të ishte informimi se në bregdetin Shqiptar nuk derdhen më ujërat e zeza” – theksoi sekretari për mjedisin, Besnik Bare. 

TIRANE- Partia Socialiste akuzoi qeverinë se ka dështuar në politikat e saj për turizmin. Sipas sekretarit për mjedisin në PS, Besnik Bare projektet për turizmin kanë mbetur në letër dhe qeverisë i ka mbetur vetëm demagogjia dhe shpenzimet e pajustifikuara për reklama.

“Reklama më e mirë për Shqipërinë që mund t’i bënte qeveria Berisha dhe ministri Pango, për të ftuar turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e Durrësit, Vlorës, Sarandës apo Shëngjinit, do ishte informimi se në bregdetin Shqiptar nuk derdhen më ujërat e zeza” – ka thënë Bare gjatë një konference për gazetarët.
Sipas PS, qeveria duhet të kishte përfunduar projektet e nisura nga qeveria paraardhëse, nëse do të kishte prioritet turizmin. Bare thekson se Shqipëria është i vetmi vend në Mesdhe që pas 18 vjetësh nga nënshkrimi i Konventës së Barcelonës, në asnjë nga plazhet e saja nuk ka ngritur dot një sistem të trajtimit të ujërave të zeza.

“Është kjo paaftësi qoftë menaxhuese, apo e gjetjes së burimeve financiare si dhe rendja pas aferave korruptive, që çon në përkeqësimin e imazhit të Shqipërisë dhe uljen e aftësisë së saj konkurrues në tregun ndërkombëtar të turizmit”- është shprehur Bare. (e.n/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›