PS: Basha, aferë korruptive me konviktin e Gjuhëve të Huaja
Abuzimi me pronat publike ishte në qendër të shqetësimit të ngritur nga deputeti Ditmir Bushati të enjten në Kuvend. Deputeti socialist ka treguar sesi po abuzohet me pronat publike, nga zyrtarët e veshur me pushtet të qeverisë Berisha. Çështja për të cilën ka folur ashpër sot në Kuvend deputeti socialist prek konviktin e shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja në Kryeqytet, një skandal korruptiv ku fituesi është i paracaktuar dhe në tender ka vetëm një palë të interesuar.
Bushati vuri theksin në faktin se e gjithë struktura qendrore dhe lokale u vu në dispozicion të një biznesi privat.
Brenda një periudhe kohore jashtëzakonisht të shkurtër një objekt kërkohet nga një privat dhe fillon procesi i dhënies me qira. Vihet në lëvizje e gjithë administrata e kunatit, duke nisur nga mazhordomi që është në krye të bashkisë, kunati, prefekti, administratori i përgjithshëm, biznesi privat, ministri i Ekonomisë, drejtori i Konvikteve, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të pronave, i cili për hir të së vërtetës ka bërë një korrespondencë më elegante, se nuk ka konfirmuar, as mohuar, në rast se në prona që është konvikt, sot për sot, është apo nuk është një konflikt pronësie. Ku do të shkojnë 100 studentët që janë aty? Pse një pronë që është pronë publike dhe pse arsimi publik po tjetërsohet dhe po kthehet në një pronë që do të përdoret nga një biznes privat?”, tha Bushati.