PS, Beqja: Shëndetësia në krizë, spitalet pa drita
Tiranë- Problemet e shëndetësisë dhe situata kritike në spitalet e vendit ka qenë në qendër të kritikave të Partisë Socialiste, e cila ka bërë përgjegjëse qeverinë për këtë gjendje. Ilir Beqja, gjatë një deklarate për shtyp nga selia rozë ka nënvizuar se problemet në shëndetësinë shqiptare nuk janë emrat e ministrave, por mungesa e një programi të qartë të qeverisë dhe paaftësia e papërgjegjshmëria shembullore e kryeministrit të vendit. Ai ka kujtuar se skema e re e financimit të spitaleve, deklaruar së fundi, edhe pse më pak se gjysmake, akoma nuk është miratuar në Kuvend dhe kështu nuk ka gjasa që të fillojë të funksionojë brenda muajve të parë të vitit.
“Në maternitetin e qytetit të Lezhës energjia elektrike dhe uji kanë munguar më shumë se 24 orë. Për fat të keq, gratë shtatzëna të qytetit të Lezhës duhet sjellin fëmijët në jetë nën dritën e qirinjve edhe pse jemi në vitin 2009”- tha Beqja.
Situatë e njëjtë, sipas tij paraqitet edhe brenda qytetit të Peshkopisë, për më shumë se dy ditë rruga që të çon në spitalin e qytetit ka qenë e bllokuar nga bora.
“Në mes të Tiranës, në qendrën spitalore universitare të vendit, nuk ka ngrohje në shërbimin e kardiologjisë. Ministria e Shëndetësisë premtoi për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi, a thua se po kërkohet ky shërbim në gusht dhe jo në muajin më ftohtë të vitit që prej mijëra vjetësh”- tha më tej ai.
Ai ka kujtuar se edhe pas 6 muajsh nga fillimi i punës së ministres së shëndetësisë gjendja në spitale nuk ka ndryshuar. Edhe premtimet e saj për stabilizimin e furnizimit me ilaçe brenda 2 muajsh nga dita që mori detyrën, sipas Beqajt, nuk u mbajtën.
Për fatin e tyre të keq, ka nënvizuar më tej ai, shqiptarët duhet të vazhdojnë të marrin leje nëse duhet të sëmuren apo gratë shtatzëna duhet të pyesin në OSSH përpara se të sjellin fëmijët e tyre në jetë.
Në fund të deklaratës, ai ka theksuar se qeveria e Sali Berishës ka hyrë në 6 muajt e fundit dhe ardhja e PS-së në pushtet dhe programi që ajo ofron, do të jenë një zgjidhje e qëndrueshme për problemet 18 vjeçare të shëndetësisë shqiptare.