OST, në punë për riparimin e defekteve
Brigadat e avarive të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) kanë riparuar defektet në linjat e transmetimit të energjisë, shkaktuar si pasojë e motit të keq që përfshiu prej disa ditësh vendin tonë, me përjashtim të linjës Bushat-Lezhë ku ende po punohet.
Burime zyrtare të OST-së thanë se "brigadat riparuan defektet në linjat 120 kV, Tiranë-Vau i Dejës dhe në linjën 110 kV Përrenjas-Elbasan, në të cilën ishin këputur telat e transmetimit të enegjisë elektrike".
Sipas këtyre burimeve, brigadat e OST-së ende po punojnë në linjën 110 kV Bushat -Lezhë, ku janë rrëzuar tetë shtylla të tensionit të lartë dhe për pasojë qyteti i Lezhës dhe rrethinat e tij po furnizohen me energji elektrike nga linja Laç-Lezhë.
OST njofton se shtyllat e rrëzuara nga moti i keq do të zëvendësohen me shtylla të reja, proces ky që do të zgjasë dy javë.
Dy ditë më parë brigadat e OST-së riparuan defektet në linjën 110 kV në Lezhë, e cila furnizon me energji elektrike qytetin e Laçit.(atsh)