Kukës, Shishtaveci lëshon alarmin SOS
RESHJET/ Kryekomunari ngre akuza për papërgjegjshmëri nga personat që duhet të merren me situatën
Një çift nga Metaliaj kanë udhëtuar me varkë nëpër Fierzë për rreth 20 km për të sjellë fëmijën në spital
KUKËS – Orteqet bllokojnë punën e Shtabit të emergjencave. Kjo është deklarata e drejtorit të Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve në Kukës, Rushit Gashi, i cili ka sqaruar se puna për hapjen e rrugës së Shishtavecit është ndërprerë dje për shkak të orteqeve që kanë vazhduar të bien gjatë gjithë ditës së diel, ku është rrezikuar jeta e manovratorëve, të cilët kanë mbetur të bllokuar dhe janë detyruar të braktisin mjetet duke udhëtuar në këmbë për në shtëpitë e tyre në Kukës. “Rruga e Shishtavecit është hapur deri në afërsi të fshatit Nimçë, por orteqet e shumta e kanë bllokuar atë përsëri”, - sqaroi drejtori Gashi. Ndërkohë që kryetari i komunës së Shishtavecit ka lëshuar alarmin “SOS” të hënën pasdite. “Trashësia e dëborës në Shishtavec dhe fshatrat e tij ka arritur mbi 1 m. Jemi plotësisht të izoluar dhe kërkojmë ndihmë sa nuk është vonë. Konstatoj njëfarë papërgjegjshmërie lidhur me situatën në Shishtavec, ku personat përgjegjës përtojnë të na hapin edhe telefonin”, -deklaroi për “Shekulli”-n kryekomunari i Shishtavecit përmes telefonit. Kryetari Nela ka bërë të ditur se deri pasditen e së hënës nuk kishte informacion për ndonjë emergjencë mjekësore, por në rast se ndodh nuk do të kishin asnjë mundësi transporti për në spitalin e Kukësit. Ndërkohë që prefekti i qarkut të Kukësit dhe kryetari i këshillit të qarkut e kanë quajtur situatën e krijuar një situatë të zakonshme dimri, ku sipas tyre situata emergjente ishte më shumë zhurmë e mediave. Megjithatë, ata e pranojnë faktin se 11 komuna të këtij qarku vazhdojnë të jenë të izoluara, por, sipas tyre, gjendja është drejt normalizimit, ku përparësi është hapja e rrugëve deri në qendrën e komunave. Në mbledhjen e djeshme të shtabit të emergjencës nuk është raportuar se rruga kombëtare Morinë (Dogana)-Kukës-Fushë-Arrëz është e kalueshme në dy kalime me ndihmën e zinxhirëve, ndërkohë që po punohet për të hapur me dy kalime rrugën Kukës-Krumë, si dhe rrugën Krumë-Bajram-Curri që do të bënte të mundur nxjerrjen nga izolimi të fshatrave të komunës Golaj në rrethin e Hasit, si dhe të fshatrave të komunës së Bytyçit në rrethin e Tropojës.
Nisin shqetësimet e para
Vetëm dy ditë pas rënies së reshjeve të dëborës dhe ngricave që janë pasuar me bllokimin e rrugëve, kanë filluar shqetësimet e para, sidomos për emergjencat mjekësore. Një çift nga fshati Metaliaj i rrethit të Hasit, bashkë me fëmijën e tyre janë detyruar t’i hyjnë “aventurës” duke udhëtuar me varkë nëpër Liqenin e Fierzës për rreth 20 kilometër për të sjellë fëmijën në spital. Besnik Metalia me bashkëshorten e tij janë paraqitur mesditen e djeshme me fëmijën e sëmurë në pavionin e pediatrisë pasi kishin udhëtuar me varkë përmes Liqenit të Fierzës duke rrezikuar jetën e tyre. “Kam udhëtuar me një varkë peshkimi nga Metaliaj deri në Kukës duke rrezikuar jo pak jetën time të bashkëshortes dhe të fëmijës. Nuk kishim mënyrë tjetër si të vepronim pasi fëmija ishte me temperaturë të lartë e cila nuk po i ulej, ndërkohë që rruga që lidh fshatin Metaliaj me rrugën nacionale ishte e bllokuar, madje ishte e bllokuar edhe rruga që lidh Krumën me Kukësin. Zoti na ndihmoi dhe mbërritëm gjallë e shëndoshë në breg të liqenit”,- shprehet përmes telefonit Besnik Metalia.
-------------------------------------------------Komuna Lekbibaj, e izoluar totalisht
TROPOJË - Komuna Lekbibaj, një ndër më të largëtat dhe më të thellat në veri, është izoluar totalisht nga bora. Sipas kryetarit të komunës, Gjovalin Gjeloshaj, trashësia e borës arrin nga 70 cm deri në një metër, çka ka vështirësuar edhe transportin e ushqimit për bagëtinë, për ato familje që gjethin e transportojnë nga bjeshkët. “Ndonëse reshjet kanë filluar para 3-4 ditësh, nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e borës në aksin rrugor Fierzë-Lekbibaj, -thotë kryetari. - Duhet theksuar se ka vështirësi në sigurimin e borëpastrueseve, pasi ndërmarrja e rrugëve rurale nuk disponon, kurse ndërmarrja e mirëmbajtjes është transferuar në qark dhe në Tropojë nuk ka administratë, mjete pune, as punëtorë. Por kemi kontaktuar me organet përkatëse e na kanë premtuar një borëpastruese, e cila ende nuk ka filluar nga puna, por shpresojmë se ditën e martë është në punë, - shprehet Gjeloshaj. Nga 12 fshatra që ka kjo komunë malore, 9 prej tyre janë të izoluara me nga një metër borë. Është pozitiv fakti se nuk ka patur ngjarje emergjente, si të sëmurë apo orteqe.
-----------------------------------------------------Korçë, moti i keq rrit çmimet e biletave
KORÇË- Moti i keq duket se ka sjellë dhe probleme të pafundme jo vetëm në qarkullimin e mjeteve nga reshjet e mëdha të dëborës në juglindje. Dëbora ka sjellë përveç të tjerash dhe rritjen e çmimit të biletës për udhëtarët që duan të shkojnë nga Korça në drejtim të kryeqytetit dhe anasjelltas. Qarkullimi me vështirësi në aksin Korçë-Pogradec për të vazhduar më tej në Tiranë, si dhe kërkesat e shumta për lëvizje në këtë fillimjavë kanë nxitur drejtuesit e furgonëve-taksi të rrisin çmimin e biletës. Kështu nga 700 lekë që ishte bileta për udhëtimin në Tiranë nga Korça, ka shkuar gjatë të hënës në 1000 lekë, ndërkohë që rritja spekulative e çmimeve ka përfshirë edhe lëvizjet interurbane brenda qarkut të Korçës, ku për në pikën kufitare të Kapshticës nga 300 lekë bileta ka arritur në vlerën e 500 lekëve. Gjatë të hënës kërkesat për udhëtime kanë qenë të mëdha, ndërsa numri i furgonëve që lëvizin përgjatë aksit më të rëndësishëm nacional Korçë-Pogradec ka qenë i kufizuar si rezultat dhe i vështirësive në qarkullimin e mjeteve në këtë segment nacional, ku kalimi në Qafë-Plloçë ka qenë tejet i vështirë.
-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------PROBLEMET/ Katër automjete të tonazhit të rëndë kanë kaluar në një aks ku ishte e ndaluar lëvizja e tyre
Pukë, automjetet e firmës “Bechtel – Enka” bllokojnë rrugën
SHKODËR – Në orët e mbrëmjes së të dielës, katër automjete të firmës ndërtuese “Bechtel – Enka” kanë hyrë në një rrugë për të cilën ishte dhënë urdhri i moskalimit për mjetet e tonazhit të rëndë. Si rrjedhojë, automjetet e ngarkuara me çimento dhe benzinë kanë ngecur në Luf të Pukës duke shkaktuar edhe bllokimin e këtij aksi rrugor, duke qenë se rruga është njëkalimshe. Në orët e vona të mbrëmjes bëhet e ditur se rruga nuk ishte arritur të zhbllokohej dhe se në të dy anët e rrugës janë bllokuar mbi 30 vetura. Në fakt, gjatë mesditës u deklarua se ndërprerja e reshjeve të dëborës kishte bërë që mjetet dhe punëtorët e angazhuar për zhbllokimin e akseve rrugore të vazhdonin punën pandërprerë. Si rezultat, të gjithë akset rrugore nacionale të qarkut të Shkodrës rezultuan të kalueshme, por në Pukë u lejua vetëm kalimi i mjeteve të tonazhit të lehtë nëpër qafat e maleve dhe duke përdorur zinxhirë. Por, kjo gjë duket se nuk i ka ndaluar katër automjetet. Ndërkohë, bëhet e ditur se vazhdojnë të mbeten të bllokuara rrugët rurale Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe, aksi Bogë-Theth dhe Prekal-Mal i Shoshit në Shkodër, akset Pukë-Qelëz dhe Kryezi-Iballë në Pukë. Komunat Iballë dhe Qelëz në Pukë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora e ngrirë. Në komunën e Këlmendit, sipas kryetarit të saj Ndue Lelçaj, tri fshatra vazhdojnë të jenë të izoluara nga pjesa tjetër e komunës dhe ka mungesë skorjesh dhe të një mjeti borëpastrues, i cili kërkohet prej kohësh nga kjo zonë, e cila çdo dimër përballet me bllokim rrugësh. Shërbimi mjekësor funksionon në spitalin e Tamarës, qendra e komunës Këlmend, por kjo zonë ka vetëm një mjek, i cili e ka të vështirë të përballojë situatat që mund të krijohen në fshatrat e izoluara nga bora. Në këtë komunë ka pasur dy mjekë, ku njëri mbulonte me shërbim pjesën nga Gropat e Selcës e deri në Vermosh e cila çdo vit përballet me bllokim nga bora. Pikërisht ky mjek ka vdekur dhe nuk është zëvendësuar nga mjek tjetër, duke bërë që e gjithë komuna malore e skajit më të largët verior të vendit të ketë vetëm një mjek. Stuhitë e dëborës kanë shkaktuar dhe rrëzimin e 7 shtyllave të tensionit të lartë dhe kjo ka sjellë kufizime të furnizimit me energji elektrike në disa zona. Udhëzimi
UT justifikon për një javë mungesat e studentëve të bllokuar nga dëbora
Universiteti i Tiranës do të justifikojë, të paktën për një javë, çdo mungesë të studentëve që janë bllokuar në vendbanimet e tyre ku ata gjendeshin gjatë festave si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike. Lajmin e bëjnë të ditur burime zyrtare pranë këtij universiteti të cilët shprehen se masa merret për të mos për të mos penalizuar studentët, të cilët do të humbasin orët për shkak të bllokimit të rrugëve. Kryesisht studentët që do të përfitojnë nga bujaria e rektoratit të Universitetit të Tiranës, do të jenë ata me vendbanim në zonat veriore dhe lindore të vendit të përfshira prej disa ditësh nga moti i keq me reshje dëbore që për pasojë ka sjellë edhe bllokimin e rrugëve. Masa lehtësuese e ndërmarrë nga drejtuesit e Universitetit të Tiranës nuk do të jetë e vlefshme për të gjithë studentët. Ata të cilët, zonat ku banojnë nuk përfshihen në listën e emergjencave natyrore, duhet të kthehen në auditore, pasi në të kundërt rrezikojnë të mbushin regjistrat me mungesa. Po dje, Universiteti i Tiranës u ka shpërndarë udhëzimin përkatës fakulteteve në juridiksionin e tij, duke kërkuar prej tyre që të vihet mënjehërë në zbatim. Udhëzimi i UT-së vjen menjëherë pas atij të dalë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave, e cila si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në disa zona të vendit, urdhëroi pezullimin e mësimit për një periudhë triditore, deri në përmirësimin e motit. Një tjetër masë që është marrë në ditët e fundit në fakultete, dhe konkretisht në Fakultetin Filologjik është ajo e ndezjes së kaldajës, kjo nisur edhe nga ulja e ndjeshme e temperaturave që nuk kanë lënë pa prekur edhe auditoret. Shezai Rrokaj, në cilësinë e dekanit të Fakultetit Histori-Filologji, është shprehur se është realizuar tenderi për blerjen e karburantit, gjë që do të bëjë të mundur edhe vendosjen në funksionim të kaldajës për ngrohjen e ambienteve.
Situata në qarqe
Qarku Kukës
Vijojnë të jenë të bllokuara komunat Zapod, Kalis, Ujëmisht, Bushtricë, Grykë Çajë, Arrën të rrethit të Kukësit dhe Lekbibaj dhe Bytyç të rrethit të Tropojës.
Qarku Dibër
Vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat: Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Reç, të rrethit të Dibrës, komunat Ostren, Trebisht e Martanesh, në rrethin e Bulqizës dhe komunat Xibër dhe Macukull në rrethin e Matit.
Qarkut Shkodër
Vazhdon puna intensive për hapjen e rrugëve të bllokuara në komunat Iballë dhe Qelzë të Pukës, si dhe për zhbllokimin e rrugës Tamarë- Vermosh në Malësinë e Madhe.
Qarku Korçë
Nuk ka komuna të bllokuara përveç komunës Velçan në rrethin e Pogradecit, ndërsa në Qarkun Elbasan janë të bllokuara komunat e Librazhdit Stërblevë dhe Stravaj, kurse komuna e Lunikut është zhbllokuar.