E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi, në Kosovë më 8 janar

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të zhvillojë në datat 8 dhe 9 Janar, vizitën e tij të parë zyrtare në shtetin e pavarur të Kosovës, me ftesë të homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu.

Marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet më të fundit në Kosovë do të jenë në fokus të bisedimeve që Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë me personalitetet më të larta të Kosovës gjatë kësaj vizite, e cila shënon edhe nisjen e axhendës zyrtare të Presidentit për vitin 2009, bëri të ditur për ATSH-në zyra e shtypit pranë Presidencës.

Vizitën e tij të fundit në Kosovë, Presidenti Topi e zhvilloi në datën 25 janar 2008, afërsisht 1 muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt).

"Emocionet janë shumë të freskëta, sepse unë e realizova vizitën përpara shpalljes së pavarësisë, ku ndjehej një dëshirë e jashtëzakonshme e të gjithë popullit të Kosovës për të qenë të pranishëm dhe për ta realizuar sa më shpejt aktin e shpalljes së pavarësisë", u shpreh Presidenti Topi, gjatë një interviste dhënë për një televizion shqiptar në ditët e fundit të vitit 2008. (atsh)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›