E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha dështoi me drejtësinë, ne nuk heqim dorë nga 21 Janari dhe Gërdeci

TIRANË- Partia Socialiste në sajë të nismës ‘100 arsye për të mos votuar Berishën” akuzoi qeverinë se ka dështuar me drejtësinë në batakun e korrupsionit. Në një deklaratë për shtyp, nga selia rozë, Vasilika Hysi deklaroi se opozita nuk do të heqë dorë nga vendosja e drejtësisë për 21 janarin, Gërdecin, vrasjen e Remzi Hoxhës. 

"31 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët me votë do të ndëshkojnë kryeministrin e 100 dështimeve, Sali Berishën. Ky kryeministër e ka përdorur pushtetin për të përfituar përmes padrejtësive duke grabitur pasuritë e vendit, duke grabitur të ardhurat e njerëzve, duke shkelur liri dhe të drejta për të mundur të fitojë qetësinë që i duhet që të sundojë mbi një batak korrupsioni dhe kriminaliteti. Dhe pse tashmë pa imunitet, gjykata dhe prokuroria vazhdojnë të mos kenë vullnetin që të hapin çështjet ndaj ish-ministrave përgjegjës për disa nga këto ngjarje. Dhe pse pa imunitet, asnjë hetim për gjyqtarët dhe prokurorët e dyshuar për korrupsion. Për Partinë Socialiste 21 janari nuk është një nga çështjet e drejtësisë, por është çështja që do të vendosi në themelet e drejtësisë shqiptare të drejtën. Për këtë arsye ne nuk do të heqim dorë për asnjë çast nga rivendosja e drejtësisë në vend dhe vënien përpara saj të vrasësve të 21 janarit, vrasësve të Remziut, të Fatmirit dhe përgjegjësit e Gërdecit", deklaroi Hysi. 

"Ne, me fitoren e 23 qershorit, do t’i japim shqiptarëve një qeveri legjitime që do të qeverisë me drejtësi dhe me legjitimitetin e votës së tyre do të rivendosë shtetin e së drejtës, duke çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë e duke vendosur barazi përpara ligjit. Ne do t’i mbështesim pa i braktisur për asnjë çast familjet e 21 janarit, të Remziut, të Fatmirit, të Gërdecit e familjarët e të gjithë viktimave të drejtësisë të munguar në këto vite. Rilindja do të fillojë me votën e shqiptarëve në 23 qershor dhe do të vazhdojë me rivendosjen e drejtësisë në vend", shtoi Hysi. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›