E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha do mbajë barrën e mosnjohjes së zgjedhjeve

Partia Socialiste deklaron se kryeministri Berisha do të mbajë përgjegjësinë për mosnjohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit nga ana e socialsitëve nëse nuk heq dorë nga cënimi i votës së shqiptarëve. 

TIRANE- Kryetari i Asamblesë kombëtare të Partisë Sociaaliste, Gramoz Ruci deklaroi sot se kryeministri Berisha do të mbajë përgjegjësinë për mosnjohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ruci i bëri sërish apel kryeministrit të heqë dorë nga cënimi i votës së shqiptarëve.
“Sali Berisha të heqë dorë nga cenimi i votës së shqiptarëve, duke nisur nga vota e qytetarëve të Fierit, në të kundërt do të mbajë mbi vete gjithë përgjegjësinë e delegjitimimit të zgjedhjeve, mos njohjes së rezultatit të tyre dhe delegjitimimit të gjithë institucioneve të dala prej tyre” deklaroi Ruci.

Partia Socialiste nënvizon se pakti Meta-Berisha synon të vjedhë mandatin e nëntë të socialistëve në qarkun e Fierit.
“Krimi kushtetues i KQZ që refuzon prej 8 ditësh të numërojë dhe të pasqyrojë rezultatin fitues të votimeve për Partinë Socialiste në Fier është prova më e qartë e gjithë kësaj ashtu siç konfirmon botërisht se martesa Meta-Berisha synon me çdo çmim të vjedhë mandatin e 9 të Partisë Socialiste në Fier”theksoi Ruci përpara mediave.

Partia Socialiste thekson se shqiptarët po zhgënjehen nga mos mbyllja e procesit zgjedhor dhe degjenerimi i tij.

“Prej 8 ditësh, për këtë shkak zgjedhjet po kthehen në vjedhje, zgjedhjet nuk kanë rezultatin që ka krijuar vota e popullit, zgjedhjet po delegjitimohen, zgjedhjet po delegjitimojnë çdo institucion që do të dalë prej tyre. Ne emër të Partisë Socialiste ne duam të sigurojmë çdo shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar se kemi bërë çdo përpjekje ligjore për të mbrojtur zgjedhjet nga delegjitimimi i tyre dhe nga vjedhja” deklaroi Ruçi.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›