PS: Berisha, hipokrizi me rritjen e pagave. Një mësues sot paguan 11 herë më shumë taksa
Partia Socialiste ka reaguar me anë të sekretarit për Programin, Ilir Beqja, në lidhje me deklaratën e qeverisë për rritjen e pagave. Sipas Beqjas, kjo është një hipokrizi e pastër e Berishës, duke qenë se një mësues sot, në ndryshim nga viti 2005, që i referohet Berisha, paguan 11 herë më shumë taksa. Pra, sipas Beqjas, këtu vetëm për rritje paga nuk mund të flitet.
Për këtë arsye, Beqja ka përsëritur kërkesën e PS-së për heqjen e taksës së sheshtë dhe vendosjen e taksës progressive, në mënyrë që ata që marrin më shumë të paguajnë më shumë taksa dhe ata që fitojnë më pak, të paguajnë më pak taksa.
Për më tepër, sipas Beqjas, që nga viti 2005, çmimet janë dyfishuar, çka bën që punonjësit e administratës, të kenë më pak para për të blerë.
“Nga sot duhet të pranojmë të dëgjojmë edhe lajme se kur firmos Saliu vendimet e qeverisë. A thua se nuk paguhet për këtë gjë kryeministri. Pagat që Saliu mburret se ka firmosur sot, në fakt duhet të ishin paguar që para tre javësh. Qeveria u përpoq të mburret sot duke na treguar se sa janë rritur pagat në letër. Por familjet shqiptare nuk jetojnë me paratë e rrogës në letër. Jetojnë me paratë që marrin në dorë dhe më konkretisht me çfarë blejnë me paratë që marrin në dorë. A ka rëndësi sa janë rritur pagat në letër, kur sot edhe arsimtarët, edhe mjekët, edhe infermierët, edhe punonjësit e policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005. Që konsumi i familjeve shqiptare ka rënë, këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare, tha Beqja.