PS: Berisha kërkon zaptimin dhe kontrollin e SHISH
10/02/2010 Socialistët vijojnë të kundërshtojnë projektligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Edhe pse jo brenda institucionit të Parlamentit, deputetët socialistë japin argumentet e tyre, për vërtetuar se ky projektligj është një manovër e Kryeministrit Berisha për të zaptuar dhe kontrolluar prova që ky institucion disponon për ngjarje të rënda të ndodhura në Shqipëri. Ishte deputeti i PS-së, Erion Braçe, ai i cili duke mbrojtur një qëndrim të tillë, iu referua pikërisht tragjedisë së Gërdecit apo edhe veprimtarive të tjera me natyrë ekonomike, siç janë disa privatizime strategjike. “Kryeministri nuk mund të tolerojë këtë fakt, që t’i filtrojë informacioni deri në media, ndaj natyrisht kërkon kontroll të plotë mbi të gjitha informacionet që vijnë në institucione të rëndësisë së veçantë, që nuk janë në shërbim të Berishës dhe Qeverisë së tij, por të shtetit shqiptar”, u shpreh Braçe.