Përgjysmohen fondet e investimeve
10/02/2010 Në Bashkinë e Durrësit
DURRES- Këtë vit Bashkia e Durrësit do të investojë në rrugë, gjelbërim, ndriçim, pastrim dhe gjelbëri disa herë më pak se një vit më parë. Në fund të muajit pritet që bashkia të paraqes projektbuxhetin për miratim në këshill me tendencë për të kapërcyer disa nga pengesat e shkaktuara. Për shkak të mungesës së argumentit këshilli rrëzoi kërkesën e administratës për të rritur deri në 30 për qind taksat vendore ndaj qytetarëve dhe kjo duke se do të shërbejë si mjet i fuqishëm në dorë të bashkisë për të justifikuar përgjysmimin e fondeve në investime. Këtë vit, në bazë të parashtrimeve nga departamenti përkatës, investimet në infrastrukturë nuk do të shkojnë më shumë sesa 350 mijë euro nga buxhet i pavarur. Fondi është cilësuar mjaft i ulët nga specialistët, pasi janë një sërë projektesh të mbetura pezull në pritje të fondeve. Edhe pse bashkia do të ketë edhe këtë vit mbështetjen me fonde nga qeveria dhe donatorë të huaj, fondi që pritet të lihet mënjanë nga arka e taksapaguesve të qytetit mbetet shumë e pajustifikuar. Më shumë se 2.2 milionë euro janë investuar në infrastrukturë një vit më parë dhe rënia me 7 herë e fondit po shihet me sy kritik. Buxheti i bashkisë këtë vit mendohet të shkojë deri në 8 milionë euro, shifër shumë e diskutuar pasi mbetet shumë larg nga buxheti i një viti më parë. Granti i shtetit mbetet në ato limite me rritje të vogël, por bashkia parashikon të ketë më pak arkëtime nga taksa e biznesit dhe detyrimet e tjera.