E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat, analizimi i vështirë, duhet kohë për identifikim

10/02/2010  Kockat janë futur në mënyrë të çregullt në thasë. Miniera në malin e Dajtit
TIRANE- Megjithëse Prokuroria e Tiranës s’ka lëshuar një urdhër konkret që t’i hapë rrugën Institutit të Mjekësisë Ligjore për analizimin dhe ekzaminimin e eshtrave të 19 shtetasve të pushkatuar në malin e Dajtit, me kërkesë të familjeve që interesohen për fatin e të afërmve të tyre, ekspertët mjeko-ligjorë kanë filluar punën për ndërtimin e skeleteve trupore dhe analizimin e tyre. Një gjë e tillë bëhet me dije nga burime pranë mjekësisë ligjore, të cilët thanë se tashmë kanë marrë të gjitha masat për ekzaminimin e plotë të eshtrave që i përkasin personave të pushkatuar gjatë regjimit komunist. Kockat do t’i nënshtrohen një sërë analizash, duke filluar nga ato shkencore e deri tek krahasimet e ndryshme. Identifikimi i tyre do të zgjasë disa kohë, pasi ato janë hedhur në mënyrë të çrregullt nga personat që i kanë zbuluar. Madje, mësohet se edhe kafka që u gjet dy ditë më parë, nuk përputhet me asnjë nga skeletet e gjetura. Sipas specialistëve, vendi ku u gjetën eshtrat i ngjasonte një miniere të vërtetë, pasi për vite me radhë shumë persona kanë gërmuar aty me shpresën se do të gjenin trupat e familjarëve të tyre. Çdokush që gërmonte, arrinte të gjente skelete njerëzish, por pas kryerjes së analizave këto eshtra ose pranoheshin nga të afërmit, ose sërish ktheheshin në vendin ku ishin gjetur, pasi ADN-ja nuk dilte pozitive. Madje, një pjesë e tyre dërgoheshin për ekzaminim më të specializuar në Itali. Kërkesë për analizimin e eshtrave ka dorëzuar edhe Shoqata e të Përndjekurve Politikë, të cilët insistojnë që të zbardhet sa më shpejt identiteti i 19 skeleteve të gjetura rrëzë malit të Dajtit, afër fshatit Qesarakë. Lidhur me këtë çështje, organi i akuzës kryeqytetase nuk ka regjistruar asnjë procedim penal, por është mjaftuar vetëm me verifikime sipërfaqësore. Burimet thanë se në rastin konkret nuk ekzistojnë elementet e veprës penale dhe se s’ka autorë të dyshuar dhe për këtë arsye nuk mund të vendosin regjistrimin e një procedimi penal. Prokuroria tha se verifikimet po kryen në bashkëpunim me arkivin e Ministrisë së Brendshme.
Koha e Kadri Hazbiut
Mënyra e ekzekutimit të diversantëve
Ekzekutimet në zonën pranë ish-batalionit të Sigurimit janë kryer në periudhën 1970-1989, kohë kjo kur Ministria e Brendshme drejtohej nga ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu. Ekzekutorët apo organizatorët janë kujdesur vetëm që varret e grupeve të ndryshme të mos jenë të përbashkëta. Kjo me qëllim që vendndodhja të ishte e identifikueshme. Karvani i makinave ku mbaheshin të dënuarit me vdekje futej në territorin e këtij reparti diku afër mesnatës. Burime nga arkivi thonë se në këtë territor pushkatoheshin të burgosurit ordinerë, ose siç quheshin në atë kohë diversantë.
Xhevdet Mustafa dhe Hamit Matjani
Dy anëtarët e grupit që u nis nga SHBA-ja për të vrarë diktatorin Enver Hoxha, janë varrosur në varrezën ku disa muaj më parë u zbuluan 19 eshtrat. Ata janë Xhevdet Mustafa dhe shoku i tij Sabaudin Hazbedari, të cilët në vitin 1982 zbarkuan si diversantë në Shqipëri. Pas vrasjes ata janë groposur në repartin 313 të Linzës. Gjithashtu, zëra nga arkivi i ministrisë thonë se në të janë varrosur edhe Hamit Matjani, ish-truproja i mbretit Zog, e persona të tjerë që përpiqeshin për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›