PS: Berisha, shurdhëri ndaj ndërkombëtarëve
Tiranë- Shurdhëri ndaj këshillave dhe sugjerimeve të partnerëve euro-atlantik e ka quajtur Partia Socialiste veprimin e kryeministrit Sali Berisha, me miratimin e ligjit “për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, kaluar dje në parlament me votat e mazhorancës.
Sekretarja në PS për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade ka numëruar reagimet e ndërkombëtarave, duke filluar që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE që flet në emër të 55 vendeve anëtare, Britania e Madhe, Rezolutën e Këshillit të Europës, dhe sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës Terri Dejvis.
Partia Socialiste e Shqipërisë, sipas saj, shpreh shqetësimin e thellë për kalimin e ligjit të ashtuquajtur për pastërtinë e figurës, me shumicë të thjeshtë në mënyrë të njëanshme duke shkelur të gjitha parametrat dhe përvojën europiane të hartimit të ligjeve të tilla në vendet që kanë dalë nga diktatura komuniste.
Dade ka cituar reagimin e Terri Dejvis për ligjin e “Dosjeve”, duke deklaruar se “Ligji i ri i lustrimit duket se i është imponuar parlamentit shqiptar me nxitim. Mbështetësit e ligjit nuk patën kohën e mjaftueshme që të shpjegojnë pse një ligj i tillë është i nevojshëm pothuajse dy dekada mbas rënies së regjimit komunist. Vetëm faktori kohë krijon arsye për shqetësim që ky ligj do të krijojë më shumë padrejtësi sesa do të korrigjojë”. Përsa i përket përmbajtjes së ligjit, ka thënë më tej Dade, zoti Dejvis do të bëj të qartë qëndrimin e tij vetëm mbasi ekspertët e Këshillit të Europës do të kenë gjithë kohën e mjaftueshme për të analizuar përmbajtjen e ligjit.
Pas kësaj, sipas PS-së, Sali Berisha vazhdon të thellohet në abuzivizmin me pushtetin. Ndërkohë, që ligji, sipas Dades, nuk ka sesi e shpëton atë dhe maxhorancën nga hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, për krimin e grabitjes së fondeve shtetërore të ndërtimit të rrugës së kombit, nga hetimi për aferat korruptive shumëmilionshe të sekserit serb që ka kapur shtetin me gjithë kryeministër.