Sherr në disko, plagosen me armë dy 15 vjeçarë
Durrës- Nxënësit e një shkolle 9-vjeçare, në qytetin e Durrësit janë përfshirë në një konflikt, që brenda pak minutash ka degjeneruar në përdorimin e armëve. Sipas burimeve të policisë së qytetit, 2 nxënës kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri të llojit pistoletë. Njëri prej të plagosurve ka përfunduar në reanimacionm për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore pas plagëve të marra. “Të plagosur mbetën S.Sh dhe I.H, të dy të moshës 15-vjeç, nxënës në klasën e nëntë në një nga shkollat e qytetit”- thanë burimet policore.
Ngjarja ndodhi në një disko tek Shkëmbi i Kavajës, ku ishin grumbulluar nxënësit e klasës së nëntë të së njëjtës shkollë. Gjatë argëtimit fëmijëve u është dhënë për të pirë jo vetëm pije freskuese, por edhe pije alkoolike, ndërsa rreth një orë pasi ata janë argëtuar në mjediset e brendshme të diskos ka nisur edhe sherri motivet e të cilin nuk janë bërë të ditura nga policia. Në konflikt mësohet se janë përfshirë disa nxënës të kësaj hskolle, ndërkohë që njëri nga bashkëmoshtatarët nuk ka hezituar të nxjerrë edhe armën. Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se autori i krimit quhet S A edhe ai nxënës i së njëjtës shkollë, por në një tjetër klasë nga dy të plagosurit. Arma e krimit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.