E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama tur në bazë, kërkon ndalimin e trafikut të votave për këshilltarët

FIER- Kryetari i PS-së, Edi Rama, i është kthyer bazës për një bashkëbisedim të gjatë lidhur me strategjinë politike, që opozita do të ndjekë në të ardhmen. I shoqëruar nga kryetari i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, Rama ishte dje fillimisht në Lushnjë për të një zhvilluar një takim me bazën në një nga lokalet e qytetit. Më pas, rreth mesditës ai i është drejtuar Fierit për të zhvilluar takimin e tij në sallën e Teatrit ‘Bylis’, me të zgjedhurit vendorë të rrethit Fier, këshilltarët dhe krerët e njësive vendore të dalë nga zgjedhjet e 8 majit. Ashtu siç ishte edhe paralajmëruar, takimi është mbajtur larg pranisë së mediave. Madje, në një nga dyert e sallës së Teatrit ‘Bylis’ është vendosur postobllok për mediat, me pretendimin se ky takim është partiak dhe lidhet me problemet dhe shqetësimet, që kjo forcë politike ka. Mbledhja ka zgjatur rreth dy orë dhe gjatë saj mësohet se është diskutuar procesi i konstituimit të këshillave komunale dhe bashkiak në rrethin Fier e sidomos temë e nxehtë ka qenë Këshilli i Qarkut Fier. Rama ka kërkuar nga socialistët fierakë, që me avantazhin e marrë në zgjedhjet e 8 Majit në këtë qark të punohet fort. Në këtë kontekst, Rama ka paralajmëruar që të mos ketë trafik votash për këshilltarët, teksa ka theksuar se për këtë këshill (ku PS ka shumicën) të punohej fort, me qëllim që ai të drejtohej nga PS-ja, ashtu siç e kërkon dhe vetë rezultati i dalë nga zgjedhjet e 8 majit. Në takimin e zhvilluar dje, për asnjë çast, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka përmendur situatën e krijuar në Tiranë. Ai nuk i ka paraqitur bazës asnjë qëndrim në lidhje me rezultatin e pritshëm të KQZ-së për Bashkinë e Tiranës. Në këtë takim që ka qenë krejtësisht organizativ, nuk është përmendur asgjë lidhur edhe me qëndrimet radikale të opozitës pak kohë më parë, si dorëzim mandatesh apo edhe protesta. Në këtë takim, krahas Ramës dhe Ruçit kanë marrë pjesë edhe deputetët e tjerë të qarkut Fier. Ajo që në fakt ka bërë përshtypje, pas takimit të zhvilluar, ka qenë një përballje e ftohtë mes Ramës dhe Ruçit. Ndryshe nga sa u futën, në përfundim të takimit, Ruçi dukej i nervozuar ndërsa Rama tepër i lodhur për ta dëgjuar. Ka qenë vetëm një përballje e vogël, por që tregonte mjaft se të paktën për takimin e zhvilluar dhe për çka ishte diskutuar dje në të, Ruçi dhe Rama ndanin opinione të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›