E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Bizhga: Ministria e Brendshme nuk ka bërë transparencën për tenderët

11/11/2011  Uniformat e Policisë së Shtetit, Kuvendi interpelancë me ministrin Bujar Nishani

Në seancën e djeshme plenare opozita hodhi dyshime mbi procedurat e tenderimit nga Ministria e Brendshme mbi uniformat e Policisë së Shtetit. Në interpelancën e djeshme me ministrin Nishani, deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, kërkoi sqarime për një tender të vitit 2009, që sipas tij la pa uniforma Policinë e Shtetit. “Prej dy vjetësh policia është pa uniforma, e zbathur për të ndjekur krimin”, - tha Bizhga. Për këtë çështje ministri Nishani iu përgjigj deputetit socialist se tenderi për uniformat e policisë ishte i hapur dhe u zhvillua në përputhje me ligjin. “Të gjitha hapat e ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për uniformat e reja ishin konkurruese, transparente dhe në përputhje të plotë me ligjin. Nga autoriteti kontraktor Policia e Shtetit, kjo kontratë është konsideruar si një kontratë që duhet të realizohet në një afat 4-vjeçar 20011-2014. Prokurimi i saj do të jetë për vitin buxhetor 2011 me shtrirje për zbatim në tre vitet e tjera”, - sqaroi Nishani. Por në replikën e tij Bizhga akuzoi ministrin duke thënë: “A mund të na thoni që kjo kompani (pa i dhënë emër) s’ka pasur asnjë shkelje ligjore më parë? Ju, zoti ministër, keni abuzuar me detyrën teksa nuk keni bërë transparencën me procedurat e tenderimeve për blerjen e uniformave. 523 milionë është haraçi i taksapaguesit shqiptar për xhepat tuaj. Dhe për këtë tender janë plagosur gjashtë veta dhe janë bërë disa arrestime të bujshme nga Policia e Shtetit”. Në reagimin e tij Nishani theksoi se “subjekti fitues ka ofertuar një vlerë 54 milionë lekë të reja më të ulët se subjekti i renditur i dyti dhe 86 milion lekë të reja më të ulëta nga fondi i limitit, apo me një kursim me 4 % nga fondi i limitit”. Ndërkohë, me konsensus deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, u emërua kryetar i Komisionit të Integrimit, deputeti Marko Bello anëtar në po këtë komision dhe deputetja Paulina Hoxha në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›