E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jemi vendi i fundit që s’kemi dënuar ende krimet e komunizmit”

11/11/2011  Biberaj në Bundestag

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka zhvilluar një takim në Gjermani me anëtarin e Bundestagut gjerman Roderich Kieseweter, anëtar i Komisionit të Jashtëm dhe i Komisionit për Çështjet e BE-se në Bundestagun gjerman. Sipas një njoftimi, Biberaj është shprehur se “pavarësisht se jemi vendi i fundit në Evropën Juglindore, që akoma nuk e kemi aplikuar në mënyrë të plotë ligjin e lustracionit, miratimi dhe aplikimi i një ligji të tillë, konform Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare, mbetet një sfidë e rëndësishme për politikën dhe shoqërinë shqiptare”. Më tej, Biberaj theksoi se “nëpërmjet këtij ligji synohet pastrimi i politikës shqiptare, i sistemit të drejtësisë, i administratës publike, por edhe shoqërisë shqiptare nga e kaluara e errët e diktaturës komuniste, pasi koha tregoi se nuk mund te ecet përpara pa bërë transparencën e së kaluarës, me qëllim shkëputjen një herë e mirë nga kjo e kaluar”. Kiesewetter, duke qenë në dijeni të plotë të zhvillimeve politike në Shqipëri, garantoi mbështetje të plotë për miratimin dhe aplikimin e ligjit të lustracionit, duke ofruar edhe eksperiencën gjermane, të cilët ishin të parët që miratuan ligjin e lustracionit në vitin 1991. Bundestagu gjerman, duke vlerësuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e zbatimit deri në fund të këtij ligji, ka zgjeruar afatin e aplikimit të këtij ligji deri në vitin 2019. Aleksandër Biberaj është një ndër hartuesit e ligjit të ri për lustracionin. Ligji i mëparshëm u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që mendohet të hartohet një projektligj tjetër i ngjashëm me atë të vitit 1995.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›