E Shtunë, 31 Tetor 2026

Voskopojë, gjendet kafkë njeriu, e ndarë nga gjymtyrët

11/11/2011  Paraprakisht mendohet se është mjaft e vjetër, jepen disa pista

Po punohej për sistemimin e truallit kur doli në sipërfaqe

KORÇE- Një kafkë njeriu, por pa gjymtyrët e tjera të trupit u gjend pasditen e së enjtes në fshatin Voskopojë nga një grup punëtorësh që po punon për sistemimin e një trualli. Gjetja e kafkës së njeriut ka nxitur punonjësit të kërkojnë edhe me tej, por deri më tani përveç kafkës nuk është gjetur asgjë tjetër, gjë që i ka dhënë ngjarjes hijet e një misteri se si ka përfunduar aty koka e një njeriu e ndarë nga gjymtyrët e tjera. Gjithsesi që në momentin e parë të zbulimit të kafkës, punëtorët kanë vënë në dijeni kryetarin e komunës Nexhip Bacelli, ku ky i fundit ka informuar strukturat e policisë, të cilat kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të hetuar mbi kafkën e gjetur dhe kohën se kur mund të ketë ndodhur groposja e saj në këtë vend. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, kafka u gjet në rrënojat e shkollës së vjetër të fshatit Voskopojë, të cilat gjenden shumë pranë me ndërtesën e shkollës së re. Punonjësit që gjetën kafkën kishin qenë duke punuar me një fadromë për sistemimin e një sipërfaqeje toke ku është parashikuar të ndërtohet një qendër informacioni mbi turizmin. Megjithatë, paraprakisht mendohet se kjo kafkë është tepër e vjetër, ndërsa nuk ka një shpjegim të saktë se si mund të ketë ardhur në këtë vend. Disa vite më parë, një i moshuar nga Korça u nis drejt fshatit Voskopojë dhe që nga ajo ditë nuk u kthye më. Edhe pse u bënë kërkime të shumta për gjetjen e tij, nuk u bë e mundur as gjetja e trupit të tij dhe as e eshtrave. Kjo kafkë mund të jetë edhe pjesë e eshtrave të ndonjë njeriu tjetër të zhdukur në qarkun e Korçës apo nga rrethe të tjera, siç mund të jenë emigrantët, të cilët udhëtonin drejt Korçës me destinacion Greqinë. Ndërkaq burime nga vendi i ngjarjes pohuan gjithashtu se kafka u gjet gati mbi sipërfaqen e tokës, gjë që do të thotë se kafka mund të jetë sjellë aty edhe nga kafshët e egra. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›