E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Bllokojme votimin me 3/5 nese sna japin keshillin e Fierit dhe Gjirokastres

18/11/2011  Konsistuimi i këshillave në qarqet Fier e Gjirokastër trondit marrëveshjen PS-PD

Rama apel Metës e Berishës: Tërhiquni!

“Asnjë hap s’do të mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at, po u vodhën mandatet!”

Konstituimi i këshillave në qarqet Fier e Gjirokastër ka rikthyer përplasjet mes dy kampeve politike. Të bindur në vjedhjen e mandateve në këto dy qarqe, socialistët lëshojnë presione ndaj mazhorancës qeverisëse, duke kushtëzuar bashkëpunimin në Kuvend për ligjet me 3/5-at. Kështu, nisur nga situata e krijuar dy ditë më parë gjatë konstituimit të këtyre këshillave kreu i PS-së, Edi Rama, u drejtoi dje kundërshtarëve të tij politikë një apel të qartë, duke kërcënuar për prishje të marrëveshjes dypalëshe, në rast se shumica parlamentare nuk respekton votën e të zgjedhurve socialistë në këto dy qarqe. “Rikonfirmoj në emër të opozitës vullnetin për të respektuar çdo germë të marrëveshjes për tri çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por rinënvizoj shqetësimin se asnjë hap s’do të mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at, nëse ligji do të vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër”, - theksoi Rama gjatë një deklarate për shtyp. Në këtë mënyrë, bashkëpunimi mes dy palëve rrezikon të kthehet në pikën fillestare, në atë të ngërçit politik, në rast se mazhoranca nuk realizon kërkesën e ardhur nga kampi rozë. “Në solidaritet të plotë me zgjedhësit tanë në Fier e në Gjirokastër dhe plotësisht i vetëdijshëm për peshën e veçantë morale e politike të deputetëve opozitarë të këtyre dy qarqeve, po edhe për kërcënimin alarmant të procesit të normalizimit të bashkëjetesës politike si shkak i orvatjes për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në këshillat e qarqeve Fier e Gjirokastër, përsëris apelin tim për Saliun e për Ilir Metën: tërhiquni nga veprimet antikushtetuese e antiligjore në këto dy qarqe!” - vuri në dukje Rama sa i takon një çështje të tillë. Gjithashtu kreu socialist i drejtoi një apel dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranën zyrtare. “Përsëris po ashtu apelin tonë për trojkën e ambasadorëve që kanë bërë shumë për të ndihmuar normalizimin e procesit dhe s’mund të mos bëjnë atë që lypset për të mos lejuar një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kushtetutshmërinë e rendin ligjor në këtë vend dhe pa asnjë dyshim një shtysë e re për t’u tërhequr nga rruga e përpjekjeve tona për konsensuse me një pushtet që me kartonët bën ligje dhe me dhunë e korrupsion i bën ligjet karton”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “integrimi europian s’është farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dh, nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita s’mund të gënjejë as popullin as vetveten për t’u rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›