E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Bregu ministre e dështuar, Lika bashkëpunëtor i Gazidedes

Reagimit në twitter të Ramës lidhur me deklaratën e ministres Majlinda Bregu për shkarkimin e Kreut të SHISH Bahri Shaqiri, i është bashkangjitur dhe qëndrimi zyrtar i PS-së, ku në një deklaratë për mediat shprehet se mazhoranca duhet të kërkojë falje për lirimin nga detyra të drejtorit të SHISH për ta zëvendësuar me një ushtar të Sali Berishës.
 

“Ministrja e Çintegrimit, në vend që të kërkojë falje për dështimin e njëpasnjëshëm në detyrën e saj, gjen guximin të justifikojë veprimin e Bujar Nishanit, i cili si një shërbëtor i denjë i Kryeministrit, pa u konsultuar me asnjë prej aleatëve strategjikë të Shqipërisë, liroi nga detyra drejtorin e SHISH për ta zëvendësuar me një ushtar të Sali Berishës.Çka është edhe më e rëndë është mënyra se si Ministrja e Çintegrimit përpiqet t`ua prezantojë shqiptarëve shefin e ri të SHISH, si një akademik të spikatur jo partiak. Por a mund të harrohen dot makabritetet e SHIK-ut të Gazidedes, pikërisht të atij institucioni që u kthye në dorën mafioze të Sali Berishës e që për drejtor të kundërzbulimit kishte pikërisht këtë "akademik" siç i referohet Ministrja e Çintegrimit?!
 

Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se është vet Sali Berisha me dorën e tij që e ka kthyer bashkëpunëtorin e Gazidedes në Tiranë, për ta përdorur si ushtar. Të flasësh për pozicionet e kaluara të punës të këtij njeriu është e kotë, pasi në detyrën e re të drejtorit të SHISH ai është vendosur vetëm pasi ka dëshmuar gatishmërinë dhe besnikërinë e nevojshme në kohën kur ishte drejtor i kundërzbulimit në SHIK-un e Gazidedes”thuhet në deklaratë.
 

Më tej PS thekson se Bregu dhe qeveria për të cilën ajo punon nuk kanë më asnjë mënyrë për t`u shfajësuar, as përpara shqiptarëve që i kanë ende të freskëta kujtimet e të kaluarës, as përpara aleatëve tanë ndërkombëtarë, që për pavarësinë e Shërbimit Informativ Shqiptar janë shprehur qartësisht, por fatkeqësisht nuk janë dëgjuar nga Sali Berisha.
 

Sipas PS vënia nën kontroll e një sërë institucionesh të pavarura nga ana Sali Berishës në bashkëpunim me Bujar Nishanin, tregojnë se pushtetit të Sali Berishës i ka ardhur fundi, ndërsa shton se sot më shumë se kurrë, Shqipërisë i nevojitet një Rilindje Shqiptare, që do u kthejë institucioneve pavarësinë që përcakton Kushtetuta e Republikës dhe qytetarëve një shtet ligjor të drejtë ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›