Moisiu: SHISH është pasuri e madhe, lëvizjet e fundit janë shqetësuese
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e shikon si shqetësuese mënyrën e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri.
Sipas tij, kjo ka qenë një përpjekje e kryeministrit Berisha që në vitin 2005 dhe që sipas tij u realizua sot pas 7 vjetësh, me të gjitha rrugët dhe mënyrat.
Në një interviste telefonike për Top Channel, zoti Moisiu thotë veprime të tilla bien ndesh me interesat e vendit dhe aleatëve tanë dhe se sipas ish-kreut të shtetit, nuk janë ogurmire.
Me thënë të drejtën, për mua ishte një lëvizje të befasishme ajo e lirimit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shqiptar. Problemi është që u arrit një vendim ose një zgjidhje e destinuar që nga viti 2005 nga kryetari i maxhorancës. Nuk e di cila është arsyeja, por është shqetësues fakti, sepse të ngulësh këmbë për diçka në të gjitha rrugët e mundshme të drejta dhe të padrejta, të krijon një shqetësim, të ngrihen pyetje. Veprime të tilla që bien ndesh me interesat e aleatëve tanë, unë mendoj se nuk janë shumë ogurmirë, dhe kjo ngjall një qëndrim të ligjshëm jo vetëm te shqiptarët, por edhe te aleatët tanë. SHISH është një pasuri e madhe që duhet të ruhet me kujdes, të trajtohet me kujdes sepse mbron interesat kombëtare, tha Moisiu.
Ai shërbim pati një arritje pozitive, po ecte në hapa të sigurta drejt krijimit të një shërbimi që do kryente detyrën që ka. E keqja është se në vitet 1992-1997, pavarësisht se shpërndamë Sigurimin, SHIK-u u mor më shumë me problemet politike të vendit.