Ibrahimi: Nuk ka referendum për ndryshimet kushtetuese pa u miratuar me 2/3 në Kuvend
Referendumi popullor për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve duhet të kalojë domosdoshmërisht për votim të cilësuar në Parlament. Duke iu referuar nenit 177 të Kushtetutës, konstitucionalisti Genti Ibrahimi thotë se kërkesa për referendumin është për një ligj të thjeshtë, por për ndryshime kushtetuese dhe sipas ligjit kjo duhet të kalojë nga Parlamenti, raporton Ora News.
Ibrahimi sqaron se nëse mazhoranca i referohet nenit 150 të Kushtetutës për referendumin, atëherë ai do të jetë nul, pasi nuk do të jetë një referendum kushtetues.
Ibrahimi thotë se edhe drafti i propozuar nga opozita mund ti nënshtrohet referendumit, pavarësisht që siç thotë ai në bazë të Kushtetutës qytetarëve nuk mund tu drejtohesh për ndryshimet territoriale. Në këtë pikë ai thotë se bëhet fjalë për një marrëveshje që u shtrohet përpara qytetarëve.
Megjithëse thotë se të dy palët po luajnë lojë politike për sa i përket referendumit, konstitucionalisti Genti Ibrahimi thotë se koha është e limituar për mbajtjen e tij.