E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doda: Do thërrasim Ramiz Alinë për Tivarin

Fillon punën Komisioni hetimor për masakrën e Tivarit, përcaktohet axhenda dhe rregullorja. Mungon opozita


TIRANË - Komisioni Hetimor që do të hetojë masakrën e Tivarit ku vdiqën mijëra shqiptarë të Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë ku kanë marrë pjesë vetëm deputetët e djathtë. Opozita ka kundërshtuar ngritjen e këtij komisioni hetimor dhe nuk ka propozuar emrat anëtarë.


Anëtarja e Komisionit hetimor, Mesila Doda, u shpreh se do të thërrasë në seanca dëgjimore të gjithë ata individë, të cilët kanë njohuri për këtë masakër duke mos përjashtuar këtu edhe ish-presidentin Ramiz Alia.


"Sigurisht që do të jenë hapat që do të vendosë komisioni për të thërritur të gjithë personat të cilët kanë dijeni për ngjarjen, të cilët kanë qenë të përfshirë në vetë të parë ose jo. Zoti Alia është një nga ata që kanë dijeni për ngjarjen dhe askush nuk është i përjashtuar nga thirrja në pyetje nga ana e këtij komisioni", theksoi deputetja e Partisë Demokratike.


Anëtarja e Komisionin hetimor për masakrën e Tivarit deklaroi se në mbledhjen e tij të parë ky komision vendosi për procedurat që do të ndjekë në ditët në vazhdim.


"Në mbledhjen e parë u vendosën aspektet procedurale që do të ndiqen. U bë me dije se do të hartohet një plan hetimor që do të miratohet dhe u dha si direktivë krijimi i rregullores. U përcaktuan linjat kryesore të punës të komisionit hetimor", - sqaroi Doda.


Komisioni do të dëgjojë të gjitha palët që kanë pasur dijeni, persona që kanë qenë të pranishëm dhe do të kontrollojë të gjithë faktet që kanë qenë në shtypin e kohën, në arshivat e shtetit shqiptar, në ato të Kosovës dhe të vendeve fqinje. Kjo, sipas deputetes Doda, do të bëhet për të kërkuar çdo dokument, çdo indicie.


"Do të kërkohet që të zbardhet përgjegjësia e shtetit shqiptar me veprimin ose mosveprimin e tij që lejoi që të ndodhë kjo masakër, do të kërkohet që të dalë e vërteta, e cila është ende një faqe e errët në historinë e Shqipërisë", - deklaroi deputetja e PD, njëherësh edhe anëtare e Komisionit hetimor për masakrën e Tivarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›