E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Dade: Mbështetësit tanë po largohen nga puna

TIRANË- Partia Socialiste ka denoncuar sot largimet nga puna të atyre që mbështetën këtë forcë politike gjatë fushatës elektorale.
Gjatë një deklarate për mediat, Arta Dade është shprehur se struktura të specializuara të Ministrisë së Financave, vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi mbështetësit e Partisë Socialiste, pa kursyer as kandidatët për deputet. "Ne këto shqetësime i kemi ndarë me përfaqësuesit e nderuar tanë ndërkombëtarë, të cilët nga ana e tyre kanë bërë verifikimet përkatëse dhe madje është konstatuar, që lista e mbështetësve të Partisë Socialiste të larguar nga puna thjesht për qëllime politike, madje që javën e parë mbas zgjedhjeve të 28 qershorit, rezulton të jetë edhe më e madhe sesa ajo që i është vënë në dispozicion trupit diplomatik nga ana e Partisë Socialiste"- tha ajo.
Ajo ka garantuar mbështetësit e PS-së, për ndihmë dhe asistencë ligjore deri në rifitimin e së drejtës së tyre. Dade i ka bërë gjithashtu thirrje Sali Berishës, që në rast se nuk është ai që e ka dhënë këtë urdhër, për largimin e mbështetësve të Partisë Socialiste, t'i udhëzojë përfaqësuesit e tij në nivel lokal, të rikthejnë urgjentisht në punë, të gjithë ata që janë larguar për motive thjesht politike, për shkak të mbështetjes së Partisë Socialiste, apo të përfaqësimit të saj në nivel komisionerësh apo të grupeve të numërimit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›