PS, Dade: Topalli, diversion dhe dhunim me të drejtat e opozitës

Tiranë, 24 janar NOA Zonja Topalli, në
mënyrë të përsëritur, vazhdon diversionet dhe dhunimin e të drejtave të
opozitës, përmes shkeljes flagrante të rregullores, për emërimin e
delegacioneve të përhershme në asambletë e organizmave ku Shqipëria bën pjesë
dhe përkatësisht në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kështu ka deklaruar sot deputetja e Partisë
Socialiste, Arta Dade e cila shtoi se Jozefina Topalli ka emëruar sipas
orekseve të saj anëtarët dhe ka grabitur vendet që i përkasin përfaqësuesve të
opozitës në delegacionin parlamentar në asamblenë parlamentare të këshillit të
Evropës.
Sipas Dades, në mënyrë flagrante Topalli ka
bërë edhe emërimin e anëtarëve të parlamentit që parashikohen si zëvendësues të
delegacionit kryesor.
Kjo në këndvështrimin e opozitës është e
papranueshme dhe e dënueshme, dhe sigurisht bie ndesh me sugjerimet që vijnë
pikërisht në draft rezolutën e fundit të asamblesë parlamentarë të këshillit të
Evropës përmes komisionit të monitorimit, të cilët bëjnë thirrje që kriza
politike duhet zgjidhur përmes dialogut. Aktet e Jozefina Topallit jo vetëm që
nuk i shërbejnë uljeve të tensioneve, por përkundrazi japin një mesazh tejet
negativ lidhur me angazhimin që duhet të manifestoj kjo mazhorancë lidhur me
zgjidhjen e krizës tha Dade.
Dade shtoi se Jozefina Topalli as nuk mund të
emëroj opozitën dhe as nuk mund të përcaktoj cili do të përfaqësoj opozitën në
këto delegacione të nderuara të asambleve respektove të organizmave që ne jemi
anëtarë me të drejta të plota.
k.k/NOA