PS, Kodheli: Përmbytjet, shteti që funksionon me sms

Tiranë, 23 Janar NOA Në shtypin shqiptar
është publikuar një tjetër shkresë, që Partia Socialiste tha sot se vërteton
edhe njëherë, se katastrofa që përmbyti qindra familje shkodrane, që zhyti nën
ujë mijëra hektarë tokë, që krijoi dëme të pallogaritshme në banesa, të
mbjella, gjë të gjallë, nuk ishte një katastrofë natyrore, por ishte kryekëput
një përmbytje e shkaktuar nga papërgjegjshmëria, paaftësia dhe korrupsioni i
qeverise Berisha.
Mimi Kodheli, deputete e PS, tha sot në një
dalje për mediat, se në datën 7 Janar, drejtori i përgjithshëm i KESH, përmes
një letre zyrtare me numër protokolli 89, i kërkon Ministrit të Energjitikës,
Dritan Prifti që urdhrat dhe masat e dhëna nga kjo ministri të bëheshin tashmë
në rrugë zyrtare dhe jo më përmes telefonit apo sms-ve, në mënyrë që këto
urdhra të ishin të zbatueshme. Një turp i madh, i shkruar në letër, e zezë mbi
të bardhë.
Në kulmin e emergjencës, teksa uji vërshonte
nga digat duke përmbytur dhe përparuar gjithmonë e më shumë në zonën e
Shkodrës, qeveria shqiptare jo vetëm ishte e vonuar në masat e marra, por ishte
dhe në kundërshtim me ligjin në urdhrat që lëshonte, - deklaroi Kodheli.
Sipas saj, Shkodra u përmbyt pasi kjo qeveri
nuk zbatoi ligjin dhe nuk zbatoi rregulloren. Përmbytja, sikundër kemi provuar
ditë pas dite, ishte plotësisht e shmangshme.
Prurjet nuk ishin nga ato që vinin një herë
në 100 vjet, siç pretendon Berisha, por prurje normale, të cilat ndodhin çdo dy
vjet. Reshjet dhe temperaturat e motit, ishin lehtësisht të parashikueshme, të
paktën një javë përpara se të ndodhte katastrofa, - foli me gjuhë teknike
Kodheli.
Sipas deputetes socialiste, kjo qeveri, u
tregua e paaftë: Ministri përgjegjës, në kulmin e emergjencës braktisi
detyrën, për të festuar gjetke. Ndërsa gjatë periudhës së tmerrit për
shkodranët, kaosi mbretëronte në strukturat përgjegjëse për menaxhimin e
situatës. Rregullore të shkelura dhe urdhra të lëshuara në kundërshtim me
ligjin dhe jo në rrugë zyrtare. Një shtet i tërë që funksionon me sms, edhe në
raste krizash, dhe ne raste emergjencash.
e.r/NOA