PS: Datën 6 gusht e ka vendosur Berisha. Heqja e imunitetit nuk është i vetmi detyrim i BE
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, deklaroi në një konferencë për shtyp se heqja e imunitetit nuk është i vetmi detyrim për marrjen e statusit kandidat.
Jo më larg se dje ministrja e integrimit doli dhe i tha shqiptarëve se i vetmi detyrim i papërmbushur është votimi i heqjes së imunitetit në 6 gusht. E vërteta është tjetër dhe për këtë mjafton të theksohet letra e komisionerit Fyle ku listohen arritjet e deritanishme të Shqipërisë dhe veprimet konkrete që duhet të përmbushen deri në shtator. Nga 12 detyrat e kërkuara deri më sot janë përmbushur vetëm ato që kanë lidhje me kontributin e opozitës në këtë proces, tha Bushati.
Deputeti socialist tha se datën 6 gusht e ka vendosur në mënyrë arbitrare Berisha.
Data 6 gusht është thjesht një datë e përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga Berisha. Kufizimi i imunitetit, në asnjë rrethanë nuk mund të barazohet me përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, vijoi deputeti.
Data 6 gusht nuk përfaqëson afat të përcaktuar nga Brukseli as ndonjë datë të vendosur bashkërisht e me konsensus e nga forcat politike, ajo është thjesht në datë e përcaktuar njëanshëm nga Sali Berisha. Kufizimi i imunitetit është vetëm pikënisja që duhet të shoqërohet me masa të qarta anti-korrupsion. Meqë jemi duke ndërhyrë në kushtetutë kemi propozuar reforma të tjera për drejtësinë, pandëshkueshmërinë dhe luftën kundër korrupsionit. Kufizimi i imunitetit dhe çrrënjosja e pandërshkueshmërisë kërkojnë një bashkëpunim institucional.