PS, Dokle: Alibia e PD për hetimin, ra në tryezë
TIRANE- Dy ditë pas pas tryezës së dialogut në Presidencë, Partia Socialiste deklaron se që në takimin e parë ra alibia e qeverisë për moslejimin e hetimit të zgjedhjeve, sikurse kërkon opozita përmes hapjes së kutive të votimit. Sipas deputetit socialist Namik Dokle, hetimi i kërkuar nga opozita nuk synon ndryshimin, rishikimin apo vendimin e kolegjit zgjedhor , pasi sic tha ai, PS e ka njohur vendimin e këtij kolegji. Duke nënvizuar vullnetin e opozitës për të kontribuar për zgjidhjen e krizës, Dokle sqaroi edhe njëherë pikat kryesore ku bazohet hetimi i kërkuar nga Partia Socialiste. “Mungesa e zbatimit të ligjit gjatë numërimit të votave, shkeljet flagrante gjatë votimit në QNV, mangësitë në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit të procesit dhe numërimit, përdorimi i aseteve publike të administratës në favor të subjekteve, presioni shtetëror ndaj punonjësve për efekte elektorale dhe lejet e përkohshme gjatë fushatës për personat e dënuar për veprat penale janë pikat ku bazohet kërkesa për hetimin e zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste” shpjegoi deputeti socialist. Ndërkaq opozita i bën thirrje qeverisë të reflektojë me seriozitet për situatën e krijuar duke theksuar se ajo cka kërkohet është vetëm zbardhja e të vërtetës së zgjedhjeve. “Askush nuk mund ta fshehë të vërtetën e zgjedhjeve” theksoi Dokle ndërsa shtoi se objekti i hetimit është në përputhje me Kushtetutën dhe përvojat e ngjashme në SHBA, Itali, Rumani, e Afganistan. (e.n/BalkanWeb)