Arrestohet, tentoi të vriste zbutësin e ujkut
Kurbin
Policia e Kurbinit ka bërë arrestimin e autorit që tentoi të vriste zbutësin e ujkut. Arlind Ndoj, nga fshati Fushëkuqe i Rrethit të Kurbinit, ishte shpallur në kërkim tre muaj më parë, pasi ka rezultuar të jetë ai autori i tentativës së vrasjes së Rrok Hotit, një nga personazhet më të njohura në vendin tonë, për zbutjen që i bëri ujkut, duke e futur në kafaz me një gomar, ku arritën të bashkëjetonin. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, arrestimi i tij është kryer në afërsi të banesës, në momentin që ai po tentonte të hynte në shtëpi, ndërkohë që pas atentatit, ai kishte mundur të largohej në drejtim të paditur, duke i shpëtuar përkohësisht arrestimit. Tre muaj më parë, Arlind Ndoj ka qëlluar me breshëri automatiku mbi zbutësin e ujkut. 50-vjeçari u qëllua pranë shkollës së mesme të fshatit Fushëkuqe, në rrugën nacionale Patok-Laç. Sipas policisë, Rrok Hoti ishte i vetëm në një zetor, me të cilin do të punonte tokat e tij, kur është ndeshur të riun, i cili i kishte zënë pritë. Ai ka zbrazur ndaj 50-vjeçarit 32 plumba, por për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk e ka kapur në trup.
#