“Të mbyllet procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit”
Në një konferencë shtypi të mbajtur sot në Tiranë nga Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor Ndaj Albin Kurtit, është theksuar se ky proces është një cenim i sovranitetit të popullit të Kosovës, dhe rikonfirmim i sovranitetit të ndërkombëtarëve. “Gjyqi ndaj Albin Kurtit përfaqëson një tendencë të hapur për represionin e lirisë së popullit të Kosovës për t’u shprehur lirisht, politikisht. Ky proces gjyqësor nuk duhet bërë kundër Albin Kurtit, dhe Vetëvendosjes, por duhet të adresojë shqetësimin e familjeve të viktimave, dhe duhet te hetojë mbi kriminelët e vërtetë, vrasësit e demonstruesve dhe institucionet ndërkombëtare që ende nuk po shfaqin përgjegjësi mbi atë çka ndodhi, duke e kthyer popullin e Kosovës në një viktimë të përhershme”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat. Më tej, Këshilli shprehet se ky gjyq është një proces arbitrar, që nuk ofron mundësi apelimi. Për këtë arsye, Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor Ndaj Albin Kurtit, u bënë apel presidentit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, kryeparlamentares Topalli si dhe Kryetarit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, Shefit të ZCN-së (ICO), z. Peter Feith, Shefit të EU-Lex-it, z. Yves de Kermabon, Institucioneve të Bashkimit Europian, dhe presidencës spanjolle të BE-së.