E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Duam me çdo kusht mandatin e 9-të në Fier”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Partia Socialiste ka kërkuar nga KQZ të drejtën për mandatin e 9 në Fier si dhe rinumërimin e një sërë kutish në disa qarqe. PS “kërcënon” se do të jetë e pranishme në parlament kur në transparencë të plotë të numërohen votat e popullit, në të kundërt parlajëmron protesta. “Duam mandatin e 9 ne Fier, si dhe rinumerimin publik te nje sere kutish ne Berat, Shkoder, Tirane e gjetke”, u shpreh në një konferencë për shtyp zëdhënësja e PS, Armela Imeraj. Më tej zëdhënësja e selisë rozë nënvizoi se: “shqiptarët filluan të shohin me sytë e tyre se çfarë ka në kutitë e marra peng në Fier nga Sali Berisha. Orë pas ore të gjithë do të kuptojnë jo vetëm pse Sali Berisha i morri peng këto kuti, jo vetëm pse Ilir Meta nxitoi ta shpallte martesën me Sali Berishën pa u hapur kutitë e Fierit,Beratit Shkodrës, Tiranës e gjetkë, por edhe pse PS është e vendosur të mos e njohë parlamentin pa u lexuar çdo votë e marrë peng nga Sali Berisha, përmes një komisioni qendror zgjedhor që kryeministri i rrëzuar në 28 qershor kërkon ta kthejë në një kapak të krimit të tij elektoral. PS, i siguron mijëra votues, që përmes letrash, e-mailesh, mesazhesh e telefonatash, kërkojnë zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit, se do ti shkohet deri në fund transparencës së procesit zgjedhor. Ashtu siç theksuam e ritheksojmë, se duam me çdo kusht mandatin e 9 në Fier, duam pa asnjë kompromis rinumërimin publik të një sërë kutish në Berat, Shkodër, Tiranë dhe gjetkë, ku rezultati është deformuar me mekanizma të paligjshëm. Askujt të mos i shkojë ndërmend se ky proces i manipuluar do mbetet pa zbardhur, qoftë deri në nxjerrjen e rezultatit dhe qoftë pas nxjerrjes së rezultatit, kur ne do kërkojmë hetimin e plotë të dokumentacionit zgjedhor, në një sërë gropash të zeza të 28 qershorit, dhe nuk do gjejmë paqe pa u ndëshkuar kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka cenuar barazinë në zgjedhje. Vetëm transparenca para popullit sovran e shpëton parlamentin e ardhshëm nga mungesa e opozitës, e cila po u shkel në të drejtat e saj kushtetuese e ligjore mbi procesin zgjedhor, nuk do ta njohë parlamentin dhe do të ndjekë rrugën e protestave popullore për shpëtimin e demokracisë. I nxisim të gjithë votuesit tanë të 28 qershorit të ndjekin nga afër maskaradën e KQZ për të parë orvatjen e dënueshme të Sali Berishës kundër PS-së”, përfundoi në deklaratën publike zëdhënësja Armela Imeraj.

Rinumërimi, qarqet

Fieri
Berat
Shkodër
Tiranë
Ky lajm është publikuar: 13/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›