E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Gjermeni: Berisha dështoi me politkat sociale, 1 në 4 fëmijë i varfër

TIRANE- Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni ka akuzuar sot kryeministrin Berisha se ka dështuar me politikat sociale për fëmijët. Sipas saj, sot në Shqipëri 1 në 4 fëmijë është i varfër.

“43 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët do të ndëshkojnë me vote kryeministrin në ikje. Berisha dështoi me politikat sociale për familjen dhe fëmijët, sepse dështoi me punësimin, dështoi me luftën kundër varfërisë, dështoi me politikat në mbrojtje të fëmijëve, sepse sot fëmijët shqiptarë janë më të varfër, më të pambrojtur, më të dhunuar. Një në katër fëmijë në Shqipëri është i varfër. Një në tre fëmijë është aktualisht në nevojë, por vetëm një e treta e tyre përfitojnë shërbime përkujdesjeje. Në familjet që janë në varfëri dhe trajtohen me ndihmë ekonomike, jetojnë rreth 160 mijë fëmijë. Ndërkohë që 25 % e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri, çka do të thotë që ata janë të paushqyer, janë shëndetligë, nuk e kanë luksin për jetë normale fëminore, dhe s’kanë akses në arsim e shërbime”, tha Gjermeni.

Deputetja e PS, nënvizoi se, “54,3% e fëmijëve të varfër në grupmoshën nga 6-18 vjeç nuk e ndjekin shkollën, sepse nuk përballojnë dot shpenzimet, kjo nuk është një akuzë për qeverisjen që vjen nga opozita, por nga studimi i UNICEF. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë të regjistruar në gjendjen civile, çka do të thotë që ata nuk arsimohen e nuk përfitojnë nga asnjë shërbim e asnjë skeme ndihme. Edhe ato pak Shërbime që ofrohen sot, plotësojnë vetëm më pak se gjysmën e nevojave të fëmijëve. Të drejtat e fëmijëve për kujdes shëndetësor, mbrojtje shoqërore, arsim e zhvillim janë larg kushteve dhe standardeve të zhvillimit normal të fëmijëve”.

Gjermeni akuzoi më tej qeverinë shqiptare se ka dështuar në luftën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve. 

“Historia e shfrytëzimit skllavërues të punës së fëmijëve është bërë tashmë fenomen tek ne, edhe akoma më keq në sipërmarrje të mbikëqyrura nga shteti si në Gërdec ku katastrofa i kaloi kufijtë e dhimbjes. Raportet kombëtare e ndërkombëtare përfshi raportet e komisionit Europian dhe Departamentit të Shtetit theksojnë se: Fëmijët në Shqipëri vuajnë diskriminimin, neglizhimin, abuzimin dhe bien ende pre e trafikimit. Mungojnë vullneti i qeverisë për ta zgjidhur situatën duke mos ndërmarrë as politika e duke mos alokuar as buxhete. Ne, socialistët, e konsiderojmë çështjen e shërbimeve për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve si një pasqyrë të humanizmit dhe përgjegjshmërisë së shoqërisë”, shtoi ajo.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: PS, Gjermeni: Berisha dështoi me politkat sociale, 1 në 4 fëmijë i varfër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›