E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-opozitës: Plotësoni vendet në KQZ, mos ia varni ujkut mëlçitë në qafë

TIRANE - Fryma e Re Demokratike prezantoi sot zyrën e shtabit elektoral, e cila do të shërbejë për të kontrolluar procesin në 12 qarqet e Shqipërisë. I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të shtabit kryetari i FRD-së, Bamir Topi tha se kjo zyrë do të jetë truri elektronik i të dhënave zgjedhore.

Duke iu referuar kodit zgjedhor, Topi theksoi se “zgjedhjet politike nuk janë vetëm dita e 23 qershorit, ato janë një proces që nisi me hartimin kodit zgjedhor të deformuar i cili nuk i ofron shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Ky kod, vazhdoi z.Topi, ja lë në dorë procesin zgjedhor partive politike dhe jo shtetit dhe institucionit.

Duke i kërkuar opozitës që të plotësojë vendet vakante në KQZ, kreu i FRD-së, Bamir Topi akuzoi kryeministrin Berisha si manipulator të zgjedhjeve.

“Unë dëshiroj t’i them opozitës e cila ka një përgjegjësi në mbulimin e vendeve vakante në KQZ. Ne do ta kishim problem edhe sikur të ishte i tërë komisioni qendror i zgjedhjeve i mbuluar me anëtarë, sepse pushteti aktual, qeveria pushteti aktual është recidivist në manipulimin e zgjedhjeve. Përfytyroni që t’ja lenë fushën bosh, dhe këtu nuk është problemi nëse ne na vjen keq nëse i ruan Edi Rama apo jo votat e elektoratit të tij, ne duam që KQZ të mos vazhdojë të trajtohet si një institucion partiak. Mos ja varni ujkut në qafë mëlçitë, që ky manipulator të mos këtë fushë të lirë”,- u shpreh Topi.

“Fakti që KQZ është jashtë loje dhe ne informohemi nga mediat për manipulimin e listave, tregon që ky institucion nuk ka më vlerë. FRD me zgjedhësit e saj do të marrin në dorë situatën për mbrojtur çdo vote.”- theksoi Topi.

Kryetari i FRD i konsideroi sondazhet e fundit si të pabaza dhe të paguara me qëllim manipulimin e rezultatit zgjedhor. Por FRD, u shpreh Topi, ka të dhënat e saj të cilat na bëjnë optimist dhe që tregojnë se FRD do të votohet masivisht në 23 qershor.

Misioni i zyrës elektorale të FRD-së është t’u garantojë zgjedhësve tanë siguri të plotë për votën. Kjo zyrë do të administrohet nga sekretari për çështjet zgjedhore Ervin Karamuça dhe 12 të rinj të specializuar në administrimin e të dhënave zgjedhore.
Lidhje te tjera VIDEO: Topi-opozitës: Plotësoni vendet në KQZ, mos ja varni ujkut mëlçitë në qafë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›