E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora çel sezonin turistik me Ramën e Wolfarth

VLORE- Në qytetin e Vlorës u çel sot sezoni turistik veror me një ceremoni të zhvilluar në pedonalen e qytetit bregdetar, në afërsi të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, ceremoni e cila u parapri nga një paradë e 300 pjesëmarrësve të edicionit të V-të të Festivalit Ndërkombëtar Folklorik "Aulona International Folk Festival", të cilët parakaluan të veshur me kostume popullore. 

Ceremonia vazhdoi me një koncert të zgjedhur të këtyre grupeve, në prani të qindra qytetarëve, ku krahas koncertit, parashutistë, pjesëmarrës në edicionin e 14-të të "Albania Opën', realizuan fluturime të lira mbi qytet. Aktivitetet në ditën e çeljes së sezonit të ri do të vijojnë në mbrëmje me Festivalin Ndërkombëtar Folklorik “Aulona International Folk Festival".

Në ceremoninë e hapjes, ishin të pranishëm kryetari i PS-së, Edi Rama, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, si dhe qytetarë të shumtë nga qyteti bregdetar e më gjerë. Në fjalën e tij, Rama, i cili kryeson edhe listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në këtë qark, tha se "qyteti i Vlorës ka ndryshuar në infrastrukturën dhe kapacitetet turistike, por do të ndryshonte më shumë në se Qeveria do të realizonte investime për infrastrukturën dhe turizmin". Ai premtoi se në qeverisjen e koalicionit të majtë, pas 23 qershorit, Vlora në katër vjet do të marrë investime aq sa nuk janë realizuar në 20 vite së bashku.

Lideri i opozitës tha se "mjedisi ku zhvillohet ceremonia e çeljes së sezonit turistik, i transformuar në një shesh modern, përfaqëson përpjekjet e mëdha të bashkisë për këtë projekt ambicioz, për t'u paraprirë veprave të tjera të mëdha, të parashikuara për t'u realizuar në qytetin bregdetar, nga qeverisja e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit".

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, tha se ceremonia e sotme i kujton festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm sot në këtë qytet, në çelje të sezonit turistik. Kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Shpëtim Gjika, tha në fjalën e tij se "Vlora duhet të mbetet kryeqendra e turizmit shqiptar dhe një model reference për imazhin turistik të vendit"
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›