Elbasan, makina del nga rruga, 3 të vdekur e 3 të plagosur
Një aksident me pasojë vdekjen e tre personave dhe plagosjen e 3 të tjerëve ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur Ura e Lizës ku automjeti me targa targa CF 576 EN me të cilin udhëtonin 6 të rinj ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë. Për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Leonard Xhaferri, 25 vjeç, Spartak Bakalli, 26 vjeç dhe Taulant Haxhija 26 vjeç ku ky i fundit ndërroi jetë në spitalin e qytetit të Elbasanit.
Gjithashtu mësohet se tre të plagosurit, Indrit Kasa, 19 vjeç, Robert Karaj, 24 vjeç dhe Serjan Tafani, 28 vjeç, ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë transportuar për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Mësohet se pas aksidentit automjeti ka pësuar edhe një djegie të pjesshme, ndërsa dyshohet se shpejtësia e lartë është bërë shkak i aksidentit të rëndë.
Ndërkohë, më herët një kalimtare është përplasur për vdekje nga një automjet në aksin rrugor Peqin-Elbasan ne fshatin Vidhas. Sipas burimeve policore një kamion me targa BR 55 28 A ka aksidentuar për vdekje 68-vjeçaren Ike Karameta.
Policia ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit Gani Zeneli 51 vjeç, por dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë prerja e rrugës nga ana e viktimës. Ndërkaq në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të dy aksidenteve.