PS, Islami: Vendimi për naftën D2, rrezikon MSA-në me BE

“Jam sot përsëri para jush për shqetësimet e njëpasnjëshme që ka sjellë vendimi i K. M. për të trajtuar në mënyrë të disbalancuar prodhimin dhe importin e naftës D2.
PS, përsërit, nuk dëshiron t'i japë dimension politik kësaj çështjeje.
PS ka kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje që nuk dëmton as industrinë e naftës, por as edhe importuesit”, tha gjatë konferencës së tij, Islami.
Sipas tij, “një zgjidhje që merr parasysh edhe çështjet e mjedisit, por edhe respektimin e parimeve të barazisë e të liberalizimit në tregun të karburanteve.
Një zgjidhje që respekton parimet e OBT dhe nuk dëmton ecurinë e ratifikimit të MSA.
PSSH vlerëson se kjo masë e qeverisë prek rëndë ecurinë e një prej proceseve madhore ku të gjithë shqiptarët janë të investuar dhe të interesuar, çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE”.
“Konkretisht, regjimi juridik i vendosur nga vendimet e fundit të KM, krijon një diferencim të qartë ndërmjet produktit vendas dhe atij me origjinë importi, në standard të dyfishtë. Ky diferencim bie në kundërshtim me regjimin tregtar të sanksionuar nga OBT-GATT dhe MSA.
Më konkretisht, lejimi për të tregtuar "naftën D 2" shqiptare dhe për të ndaluar "naftën D 2" mund të kualifikohet si masë kufizuese e tregtisë e cila çon në kufizimin apo ndalimin e plotë të produktit në fjalë dhe si rrjedhim të jetë në kundërshtim me nenin XI të Gatt-Otb”, tha ai.
Islami theksoi se, “po ashtu, zbatimi i ndryshëm i standardeve për "D 2 shqiptar" dhe për atë të importit e vendos këtë të fundit në kushte diskriminuese, të cilat konsiderohen si shkelje të nenit III/4, të mosdiskriminimit, të marrëveshjes GATT.
Gjithashtu masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare potencialisht bien kundërshtim me nenin 19 të MSA, i cili parashikon ndalimin e kufizimeve të importit dhe masave me efekt të njëjtë në tregtinë në Komunitetin Evropian.
PSSH, me dëshirën për të mos e politizuar trajtimin e kësaj çështjeje, sugjeroi gjetjen e një zgjidhjeje racionale përmes negocimit të qeverisë me të gjithë aktorët, prodhues e importues prezent në tregun e naftës”.
Sot tha Islami, dëshiroj të përsëris të njëjtën kërkesë.
“Nevojitet një zgjidhje e drejtë, pasi në kushtet aktuale Vendimi i Këshillit të Ministrave nr 1110 datë 30 korrik 2008, bie në kundërshtim me parimet e sanksionuara nga OBT dhe MSA. Vlerësoj se në ditët në vijim, edhe kritikat e Komisionit Evropian mbi këtë çështje nuk do të mungojnë. Nëse qeveria shqiptare nuk do të reagojë në mënyrë të drejtë dhe racionale, Shqipëria rrezikon, jo vetëm raportet me partnerët tregtarë në OBT, por edhe të helmojë procesin e integrimit evropian”, përfundoi në deklaratën e tij deputeti i PS, Kastriot Islami.
NOA