Qeveria çon tek Topi, Islam Laukën si ambasador në Kosovë

Islam Lauka, i propozuar si Ambasador ne Kosove
Tiranë, 12 Janar, 11:32, NOA - Qeveria ka dërguar në presidencë propozimin e saj për ambasador në Kosovë. Sot paradite ka mbërritur në zyrën e Presidentit Bamir Topi, emri i propozuar nga kryeministri Sali Berisha për emërimin e ambasadorit të parë shqiptar në Republikën e Kosovës, që është Islam Lauka.
Emri i Laukës, pritet të dekretohet nga presidenti, për të nisur punë zyrtarisht në ambasadën shqiptare në Prishtinë. Kryeministri Sali Berisha ka propozuar që në shkurt të vitit 2008, emrin e Laukës për ambasador, por gati një vit, ambasadori nuk është emëruar ende në Prishtinë.
Nëse Topi do ta dekretojë këtë emër, brenda pak ditësh, ambasadori Lauka do të transferohet në rezidencën në kryeqytetin kosovar. Deri më tani, Topi nuk ka paraqitur ndonjë kundërshti për këtë figurë, por gjithsesi, gjithçka do të bëhet zyrtare pas hedhjes së firmës.
Disa ditë më parë, presidenti Topi deklaroi se vonesat në emërimin e ambasadorit, ishin kushtetuese dhe se nuk kishte asnjë kontradiktë në këtë drejtim.
c.a/NOA