E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: "Jo" në Kuvend pa zbardhur zgjedhjet

Partia Socialiste insiston për të mos hyrë në Parlament deri në plotësimin e kushteve të saj, si një e drejtë kushtetuese. Selia rozë i kujton Kryeministrit se socialistët janë të gatshëm të mbrojnë demokracinë me çdo mjet. Në këndvështrimin e opozitës, dyshja Meta-Berisha nuk mund të garantojë kurrsesi suksesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendimet në Bashkimin Europian. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi dje vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kërkuar atë çfarë u takon me të drejtë kushtetuese, transparencën e zgjedhjeve. Në një komunikim të posaçëm me mediat, Balla tha se plotësimi i këtyre kushteve është themelor, jo vetëm për këtë forcë politike, por për vendosjen e demokracisë në këtë vend. Sakaq, deputeti socialist shpjegoi pozicionin e selisë rozë me nismën për bojkot. Ai vërejti se kjo parti nuk po bojkoton një Parlament demokratik dhe se ajo është në këtë marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur themelin e institucioneve demokratike, pra zgjedhjet dhe votën e lirë. "Nuk mund të kthehemi në atë Parlament, nëse nuk na respektohet e drejta jonë, e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit", vërejti Balla. Ai insistoi se "do të jemi në Parlament vetëm atëherë kur të na garantohet hetimi i kutive të votimit, rikthimi në punë i opozitarëve, ndëshkimi me ligj i urdhëruesve të lirimit nga burgjet të kriminelëve që bënë fushatë dhe presion për të votuar pushtetin". Balla foli në emër të qytetarëve shqiptarë që sipas tij u kanë dhënë përgjegjësinë e madhe për të mbrojtur demokracinë dhe demokracia mbrohet duke respektuar votën. Në vëmendjen e socialistëve ishte edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, që nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Berishën. "As Sali Berisha dhe as ndonjë mjeran tjetër që vrapon pas karriges dhe interesave nuk mund të na ndalë ne nga angazhimi ynë historik për t‘iu rikthyer institucioneve demokratike legjitimitetin e munguar", tha Balla. Sipas tij, e ardhmja europiane e Shqipërisë nuk mund të garantohet nga institucione me legjitimitet të cunguar, por nga institucione plotësisht demokratike. "Qëndrimet abuzive të Berishës me proceset integruese të vendit, janë një turp që dëshmon papërgjegjshmërinë e tij në lidhje me këtë proces. Prandaj PS i kujton sot Sali Berishës, se ne do të përdorim çdo mjet dhe veprim që mbron demokracinë. Ky klan qeveritar i korruptuar dhe i paaftë, që po e përdor pushtetin për t‘iu fshehur drejtësisë, nuk mund t‘u garantojë shqiptarëve suksesin e proceseve integruese dhe lëvizjen e lirë", vërejti ai. Më tej, duke bërë një analizë mes kontributit të opozitës dhe mazhorancës në legjislaturën e shkuar pikërisht për këtë proces, Dalla del në përfundimin se PS ka dhënë konsensusin e saj për kuadrin ligjor, por ngërçi qëndron te qeveria. "Gjatë legjislaturës së fundit, përmes kontributit dhe bashkëpunimit të deputetëve të Partisë Socialiste, Kuvendi ka kaluar të gjithë kuadrin ligjor të domosdoshëm që lidhet me liberalizimin e vizave, por i kundërt ka qenë reagimi i qeverisë në përmbushjen e standardeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e plotë të vizave", deklaroi Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›