E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi s‘ka numrat, bllokohen reformat

Qeveria e integrimit europian ende nuk po sheh në horizont mundësinë për të nisur miratimin e ligjeve të rëndësishme. Mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit ka nxjerrë jashtë axhendës parlamentare nismat që kanë të bëjnë me reformat e kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Për aq kohë sa opozita nuk do të kthehet në sallë, asnjë prej ligjeve të reformës në drejtësi, apo reformës zgjedhore dhe ligjet kushtetuese nuk do të mund të kalojnë për shqyrtim dhe miratim. Mjaft projektligje dhe ligje që mazhoranca kërkon t‘i miratojë apo ndryshojë nuk do të mund të konkretizohen pa miratimin e opozitës. Ato kërkojnë 84 ose 94 vota në varësi të përmbajtjes së tyre. Numra kartonësh që aktualisht kjo mazhorancë nuk i ka.

Drejtësia

Një nga nismat që ka mbetur në vend numëro prej më se tre vjetësh është reforma në drejtësi. Miratimi i saj është një nga prioritet e kësaj mazhorance për vetë faktin se përbën edhe një ndër kushtet kryesore që Bashkimi Europian i ka vënë qeverisë shqiptare në kuadër të integrimit. Pavarësisht këtij kushti, opozita duket e vendosur për të mos e dhënë konsensusin e saj për miratimin e paketës së ligjeve përbërëse të reformës në drejtësi, por edhe të projektligjeve të tjera pa iu dhënë më parë përgjigje pozitive kërkesave të saj. Vota e opozitës është e rëndësishme për miratimin e kësaj pakete ligjesh, sepse në bazë të Kushtetutës ajo arrin të miratohet po mori të paktën 84 vota në Kuvend dhe PD-ja së bashku me LSI-në arrijnë deri në 74 vota.

Zgjedhjet

Ndryshimi në Kodin Zgjedhor është një tjetër pikë që arrin të ndryshojë vetëm nëse në Kuvend votojnë "pro" ndryshimit 84 deputetë. LSI-ja ka pranuar të bashkëqeverisë me PD-në gjatë këtyre katër viteve duke vënë si kusht ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Për të arritur numrin e nevojshëm të votave, mazhoranca e krijuar nga PD dhe LSI duhet të shtrijë dorën e bashkëpunimit te deputetët e Partisë Socialiste. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar pas zgjedhjeve se nuk ka për të dhënë votat për asnjë reformë me këtë qeveri, pa u zbardhur "krimi elektoral". I njëjti rregull për shumicën e cilësuar të votave vlen edhe çdo ndryshim dhe miratim të Kodit Civil, Kodit Penal, Kodit Rrugor dhe Ajror.

Gjykata

Një tjetër ligj i rëndësishëm i cili po zvarritet nga seanca në seancë prej të paktën dy vitesh është ai për gjykatat administrative. Kuvendi nuk arriti ta miratojë këtë ligj në sesionin e shkuar, sepse opozita bojkotoi seancat e fundit të Kuvendit. Shkak për bojkotin ishte komisioni hetimor parlamentar për kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, dhe paraqitja për miratim në seancë e raportit përfundimtar të punës së tij. Faktori ndërkombëtar ka bërë apel në shumë raste për kalimin e ligjit pasi çdo hap për hartimin e tij dhe ngritjen e gjykatave administrative ka qenë nën monitorimin e tyre. Mosngritja e Gjykatës Administrative ka lënë pezull gjithashtu shumë çështje gjyqësore midis shtetit dhe biznesit.

Imuniteti

Kufizimi i imunitetit është gjithashtu një nismë e cila nuk pa dritën jeshile në sallën e Kuvendit. Kryeministri Sali Berisha është shprehur në shumë raste se është i gatshëm ta kalojë për miratim këtë ndryshim dhe ka kërkuar konsensusin e opozitës. Kjo e fundit, ndonëse asnjëherë nuk është deklaruar kundër nismës, nuk është pajtuar me mënyrën se si është kërkuar të hiqet imuniteti. Heqja e imunitetit të deputetëve kërkon 94 vota, pasi duhet të preket Kushtetuta e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›